Menjëherë pas prezantimit të tyre me uniformat e Vllaznisë në duar, dy basketbollistët amerikanë kanë folur për “Sport Ekspres” duke përcjellë emocionet e mbërritjes për herë të parë në Shqipërisë. “Jam i gëzuar që kam ardhur në Shkodër, pavarësisht kohës, kur në fakt është ftohtë, jam ndjerë mjaft mirë që në ditën e parë që kam ardhur këtu”, – ka thënë Derrëll Palmer.
“Detyra e ime është që të jap maksimumin tim në këtë skuadër, pasi e di mirë që Vllaznia ka dalë 3 vite radhazi “kampion”, – ka vijuar ai. – Unë, së bashku me dy kolegët e mi amerikanë, kam ardhur këtu që të kontribuojmë me pjesën tjetër të skuadrës në arritjen e suksesit, fitimin e titullit të katërt “kampion” radhazi. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe vërtetë ndihem shumë mirë.”
Ndërsa Xhoshua Frilav, tha: “Në fakt Shkodra është shumë larg me Amerikën, por për aq sa kam arritur ta shikoj është një vend i mrekullueshëm. Njerëzit duken shumë të ngrohtë dhe të dashur me ne, sepse kudo që jemi hasur me to në qytet janë ndalur me ne duke na përshëndetur miqësisht. Në aspektin sportiv, dimë shumë gjëra rreth historisë së ekipit.
“Prandaj edhe ne kemi ardhur për të dhënë një ndihmë më shumë në arritjen e suksesit të radhës. Në lidhje me vazhdimësinë, mendoj se duhet të hedhim hapat një e nga një duke synuar arritjen e objektivit të titullit dhe pastaj ka kohë të mendojnë për të ardhmen nëse do të vijojmë të qëndrojmë më shumë në Shkodër, apo jo”, – ka përfunduar basketbollisti amerikan i Vllaznisë.