AlbanianSport.com 11.04.2015 18:15
ASNN – Është zhvilluar dje ndeshja e parë e “play-out”-it të Superligës me Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj dhe Flamurtari ka mundur Studentin me rezultatin 56-40, duke hedhur kështu një hap drejt qëndrimit në nivelin më të lartë të koshit shqiptar.
Siç dihet, Flamurtari u rendit në vendin e parafundit të Superligës, ku Apolonia u rendit e fundit dhe zbriti një kategori më poshtë. Ndërsa Studenti u rendit i dyti në Kategorinë e Parë, ku Teuta e mbylli në krye dhe fitoi automatikisht të drejtën për t’u ngjitur në Superligë.
Në bazë të formulës së miratuar në fillim, e 5-ta e Superligës përballet në një duel shtesë prej 3 ndeshjesh me të dytën e Kategorisë së Parë dhe dje kanë qenë vlonjatët që kanë dëshmuar se nuk kanë ndërmend ta lëshojnë vendin midis më të mirëve, pavarsisht ambicieve të Studentit të drejtuar nga trajneri i ri, Henri Moja.
Ndeshja e dytë e këtij dueli luhet më datë 14 prill, në fushën e Studentit, dhe paraqet për kryeqytetasit shansin e fundit për të shpresuar për ta çuar të paktën sfidën në ndeshjen e tretë. Në të kundërt, fitorja e Flamurtarit në kryeqytet e mbyll aty duelin. Përndryshe, gjithçka do të vendoset në Vlorë më 17 prill.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kalendari i “Play-Out”-it
Superligë – Kategori e Parë
Ndeshja e parë
(10 prill 2015)
Flamurtari – Studenti 56-40 (1-0)
Ndeshja e dytë
(14 prill 2015)
Studenti – Flamurtari
Ndeshjet e treta*
(17 prill 2015)
Flamurtari – Studenti
* Nëse do të jetë e nevojshme.