Një nisje spektakolare ku falë trepikëshave të kapitenit Bërdica dhe tiranasit Gjonaj, që luan këtë sezon me kuqeblutë, Vllaznia udhëheq 6-0. Epërsi që ngre peshë një publik të tërë, që kishte mbushur plot të gjithë kapacitetin e “Qazim Dervishit”. Epërsia e Vllaznisë, të drejtuar me kompetence nga trajneri Gjeçaj, vijon edhe më pas duke e çuar në 18-9 epërsinë e vendësve. Gjë që e detyron trajnerin durrsak, Milatoviç, të marrë pushimin e dytë, ndërkohë që të parin e kërkoi kur ishte në dizavantazh 3-8.
Megjithë ndërhyrjet e shumta në formacion, Milatoviç nuk arrin të frenojë fitoren e pjesës së parë të shkodranëve me shifrat 21-14. Përballë një Vllaznie krejt tjetër nga sfida e luajtur të mërkurën në Durrës, durrsakët shfaqen shumë larg asaj që paraqiten në finale e dytë përpara publikut të tyre. Nervozizmi, i spikatur kryesisht tek dy pikat më të forta të skuadrës, Daliu dhe Llazani, që të dy ish-basketbollistë të Vllaznisë, duket që është pengesa kryesore e durrsakëve.
Megjithë përpjekjet e miqve në pjesën e dytë, ato sërishmi munden, këtë radhë me shifrat 17-12. Me 12 pikë diference, 38-26 Vllaznia shkon e qetë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve. Për t’u kthyer në nisje të pjesës së tretë me një depërtim të shpejtë të amerikanit Alen duke e thelluar epërsinë në 40-26. Ajo që bie në sy në këtë pjesë është bllokimi që kuqeblutë dhe në mënyrë të veçantë i bëjnë shtatlartit Daliu duke e nxjerrë atë në një farë mënyre jashtë loje.
Kaq duhet dhe epërsia e Vllaznisë thellohet akoma më shumë, 50-29, 60-34 duke ngritur në kulm entuziazmin e tifozerisë shkodrane. Avantazh që i jep mundësi trajneri Gjeçaj t’i japë shansin edhe lojtarëve të rinj duke aktivizuar në lojë Lekndreajn. Me 26 pikë diference, Vllaznia e ka shumë më të lehtë ta menaxhojë pjesën e katërt, në të cilën, edhe pse aktivizon të gjithë stolin, e thellon akoma më shumë diferencën me miqtë duke e mbyllur përfundimisht të gjithë ndeshjen 84-46 në favor të tyre.
Vllaznia – Teuta 84-46 (2-1)
(21-14, 17-12, 22-8, 24-12)
Vllaznia: Berdica (9), Alen (17), Faslija (5), Gjonaj (7), Xhokoviç (11) / Arra (8), Bekteshi (5), Ndoja (5), Danjel Lekndreaj (6), Taraboshi (6), Shabani, Dod Lekndreaj (5). Trajner: B. Gjeçaj
Teuta: Aliaj (10), Gorea (14), Daliu (1), Llazani (4), Pasha (7) / Strazimiri (2), Veselagu (3), Isufi (1), Thano (4), Skilja. Trajner: N. Milatoviç
Gjyqtarë: G. Cici, G. Hoxha (Tiranë), M. Kasemi (Vlorë)