Gjergj Vyshka 11.10.2016 16:05
Kanë ardhur me ovacione të mëdha në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe janë vendosur në tribunën e caktuar për ta, teksa kanë qenë të pranishëm në një numër prej mëse 200 tifozësh. Daulle e këngë gjatë gjithë ndeshjes, por janë bërë shqetësues me shiritat e letrës të hedhur në parket.
E kanë bërë këtë në fillimin e ndeshjes, aq sa janë dashur disa minuta për të pastruar parketin nga ato. Por dhe kur kishin mbetur 6 sekonda deri në përfundim të ndeshjes. E në fund kanë festuar bashkë me të gjithë lojtarët. Ndërkohë, “Tirana Fanatiks” në fillimin e ndeshjes i ka kujtuar kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliajt, i pranishëm aty pjesën e aksioneve që ka tek futbolli.
“Mos harro 34-përqindëshin”, një parrullë që është mbajtur për disa sekonda dhe më pas nuk ka dalë më. Sepse Bashkia e Tiranës, duke kërkuar një audit të të gjitha shpenzimeve që janë deri më tani tek klubi i futbollit, nuk ka dhënë asnjë lek. E deri më tani gjithçka po mbahet nga donatori Refik Halili.
Ndaj dhe Veliaj e ka marrë një “pusullë” nga “Tirana Fanatiks”. Kurse bardheblutë në fundin e ndeshjes janë ulur në gjunjë përpara tifozëve të tyre dhe Red Vogli ka marrë megafonin në dorë, ndërsa ka nisur këngën me ta: “Tirona, Myte morrin e kuq…”, duke iu referuar rivalëve të Partizanit.
E vetëm më pas të gjithë së bashku i kanë dhënë dorën kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt, që ishte nën shoqërinë e Ilir Trebickës dhe Vaso Shakës. E kësisoj lojtarë dhe “Fanatiksa” janë bërë njësh në këtë fitore të madhe përballë Trepça Mitrovicës.