AlbanianSport.com 24/11/2018 12:25
ASNN – Trajneri i Partizanit në basketboll për meshkuj, Arben Fagu, vlerësoi me fjalë mjaft pozitive paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen që të kuqtë fituan ndaj Kamza Basket me rezultatin 85-66. Në fakt, kjo fitore bëri që Partizani të marrë kryesimin e kampionatit, duke lënë pas Goga Basketin dhe Teutën, dy skuadrat bregdetare që shiheshin si favorite për titull.
Kuptohet, verdiktin përfundimtar e jep faza e “play-off”-it final, por deri atëherë Partizani duket se po fuqizohet ndjeshëm sa i përket përgatitjes dhe po tregon nivel në rritje nga ndeshja në ndeshje. “Ne e kishim ndjekur Kamza Basketin në duelin kundër Tiranës, – u shpreh Fagu, duke folur për media pas ndeshjes, – dhe ia kishim zbuluar pikat e dobëta e të forta, duke marrë masat e nevojshme për ta fituar ndeshjen.
“Dhe falë lojës së mirë që ekipi bëri në mbrojtje, detyruam kundërshtarin të mos ketë efektivitet në sulm, – ka vijuar ish-basketbollisti i njohur. – Nga ana tjetër, loja e shpejtë dhe gjuajtjet në distancë na dhanë përparësi dhe falë tyre e fituam ndeshjen. Përgëzimet shkojnë për ekipin, që u angazhua maksimalisht dhe i realizoi si duhet detyrat. Armët tona më të forta janë dëshira për të luajtur dhe besimi te forca e grupit.”
Duke folur pas ndeshjes së fituar me Kamza Basket, Fagu vuri në dukje dhe një element tjetër, atë të lojtarëve të huaj, krahas rivalitetit për titullin këtë sezon në Superligën e Meshkujve. “Sa i takon kampionatit është ende herët për të folur, pasi skuadrat vijojnë të forcohen, – ka pohuar ai. – Po vijnë shumë lojtarë të huaj e madje po kalohet edhe norma, pasi nga 4 po shkojnë deri në 4 basketbollistë të huaj.”
“Sidoqoftë, objektivi ynë është të rrisin paraqitjen e skuadrës dhe nivelin e lojës. Gara mbetet e hapur deri në fund”, – tha trajneri i Partizanit në basketboll për meshkuj, Arben Fagu.