AlbanianSport.com 12/03/2019 19:15
ASNN – Arben Fagu: Uroj që Partizani i futbollit të fitojë titullin e të jetë motivues edhe për Partizanin e basketbollit. Trajneri i Partizanit në basketboll për meshkuj, Arben Fagu, mendon se mungesa e kushteve në pallatet e sportit dhe mungesa e veprimtarive shoqëruese, por edhe niveli i ulët i basketbollit, ka sjellë largimin e spektatorëve. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, Fagu ka komentuar edhe pozicionin e skuadrës së tij dhe dëshirën që ekipi i tij i basketbollit të ndjekë gjurmën e Partizanit të futbollit që këtë sezon po shkon drejt titullit “kampion”.
“Për të rikthyer emrin e Partizanit, duhet që edhe ne vetë të jemi pretendentë për titull, që të arrijmë të tërheqim publikun, – thotë ndër të tjera trajneri i të kuqve të koshit. – Megjithatë, mendoj se ka shumë arsye përse tifozeria nuk është e pranishme. E para, largimi i publikut nga sallat këto vitet e fundit ka të bëjë me nivelin e ulët. Një problem tjetër është infrastruktura, ku ambientet dhe sallat sportive janë shumë të ftohta dhe jashtë të gjitha rregullave, si për zhvillimin e ndeshjeve ashtu dhe për qëndrimin e spektatorëve.”
“Dhe, e treta, kemi mbetur shumë prapa në zhvillimin e veprimtarive, pasi njerëzit kanë nevojë që në mjediset ku shkojnë të gjejnë kulturë, art apo spektakël, ku krahas kënaqësisë që jep basketbolli duhet të shoqërohet edhe me organizimin e këtyre veprimtareve kulturore. Ndërsa përsa i përket Partizanit, mendoj që tifozët janë të prirur më tepër drejt futbollit dhe uroj që skuadra e futbollit të shpallet “kampion” këtë vit, që mund të ngrohë edhe spektatorët tanë për t’u rikthyer dhe për të menduar që ka edhe basketboll”, – përfundoi trajneri i Partizanit të basketbollit për meshkuj, Arben Fagu.