Gjergj Vyshka 19.03.2016 11:15
Dje në takimin e tretë mes tyre duket se nuk ka vlejtur eksperienca e lojtarëve të trajnerit Afrim Bilali, por dëshira dhe saktësia e skuadrës së homologut Eduard Çarçani. Gjashtë 3-pikëshat e Shehit, Beqos dhe Qilimit bëjnë diferencën dhe Superiori mposht Ardhmëria Basket 63-65. Duke mbetur tek ndeshja nga një fillim i shpejtë i Ardhmërisë, që ka arritur të shkëputet në 7-1, gradualisht Superiori kthen në lojë.
Dhe fundi i pjesës së parë është vendosur nga dy trepikësha të Shehit, 13-16. Në pjesën e dytë, Ardhmëria edhe duke u vendosur më mirë arrin ta fitojë atë 19-14 dhe të kthejë në pushim 32-30. Por vetëm kaq, Beqo bëhet snajper dhe me tre 3-pikësha gati radhazi arrin t’i barazojë shifrat në 45-45. 14-15 është pjesa e tretë në favor të Superiorit, por Ardhmëria është një pikë përpara, në epërsi, 46-45.
Gjërat duket se janë vështirësuar për skuadrën e Bilalit, atëherë kur Shahini ka plotësuar numrin 5 të gabimeve personale. 62-60, 62-62, 63-65 dhe sulmi i fundit është për skuadrën e Bilalit. Por dhe pse pranë koshit, Ferra, që ndoshta ka pasur dhe një pengim nga lojtarët e Superiorit, nuk ka arritur ta çojë ndeshje në shtesë. Vërshëllima e fundit ka shpërthyer gëzimin e djemve të Çarçani, të cilët janë në mesin e fushës duke festuar.
Sepse, përtej ndonjë proteste të tifozëve të Ardhmërisë për gjykim të njëanshëm të Hoxhës dhe Bashos, ndonëse gjykimi i tyre duhet cilësuar i një niveli të mirë për një ndeshje të vështirë të Kategorisë së Parë atje ku basketbolli më shumë kthehet në mundje se sa në lojë, Superiori e ka merituar fitoren.
Ardhmëria Basket – Superiori 63-65
(13-16, 19-14, 14-15, 19-20)
Ardhmëria Basket: Brari (8), Shahini (13), Merkaj (12), Hoxha (8), Fjolla (2) / Qehajaj (4), Ferra (10), Latifi (6), Rakaj. Trajner: A. Bilali
Superiori: Beqo (14), Pregja (8), Troja (2), Qilimi (7), Shytaj (3) / Shushku (10), Gjeçi (8), Shehi (10), Jareci (3). Trajner: E. Çarçani
Gjyqtarë: G. Hoxha (Tiranë), G. Basho (Shkodër)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e 14-të
(18-19 mars 2016)
Të premten:
Ardhmëria Basket – Superiori 63-65
Skënderbeu pushim
Të shtunën:
Elbasani – Tirana Eagles ora 12:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Superior 12 9 3 871-645 21
- Ardhmëria 11 9 2 796-560 20
- Elbasani 10 7 3 767-645 17
- Skënderbeu 11 1 10 597-779 12
- Tirana Eagles 10 1 9 458-733 11