Gjergj Vyshka 05.10.2016 21:15
Të paktën deri dje ende ishte e paqartë se cili kanal televiziv do ta trasmetojë Tiranën në basketboll për meshkuj në Ligën Ballkanike. Në mbledhjen e fundit, që është zhvilluar më 29 shtator 2016 në Sofje, është vendosur që një stampë e Ligës Ballkanike të rrijë e fiksuar në parket. “Sa për të drejtën televizive, – thotë Koleka, – ajo që është e Ligës Ballkanike.”
“Klubet nuk përfitojnë dhe të gjithë duhet ta zgjidhin vetë me kanalet”, – ka shtuar ai. Në diskutime janë RTSH-ja dhe “SuperSporti”, por deri më tani asgjë gjë zyrtare. Nga menaxheri i përgjithshëm i Tiranës, Anxhelo Koleka, është mësuar se i është bërë thirrje “Fanatiksave” për të qenë prezent në ndeshjen e së hënës dhe jo vetëm në atë ndeshje.
“Ne kemi biseduar me “Fanatiksat”, – shpjegon Koleka, – duhet t’i kemi mbështetje për çdo ndeshje. Tirana do të jetë e hapur për të gjithë dhe do t’i bëjë të lumtur të gjithë.” Mësohet se 200 lekë do të jetë çmimi i biletës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet për ndeshjen e parë të Ligës Ballkanike, midis Tiranës dhe Trepçës së Mitrovicës.
Ndërkohë, bardheblutë e drejtuar nga trajneri Sllobodan Petrovski dje kanë luajtur miqësoren e tyre të dytë në prag të Ligës Ballkanike. Ata kanë pasur përballë Ardhmërinë Basket, të cilën e kanë fituar 82-41, ndërsa më parë ishin mundur 62-90 nga SIGAL Prishtina në një miqësore në Ulqin.