Gjergj Vyshka 29.10.2014 07:55
Është pritur për më shumë se sa një orë, por ndeshja nuk u zhvillua dhe 0-20 në “tavolinë”. Zhgënjim tek tifozeria e zjarrtë shkodrane, por dhe tek drejtuesit e ekipit të basketbollit. Vllaznia-Mornar i Tivarit, ndeshja e dytë e Ligës Ballkanike në Basketboll për meshkuj, nuk është zhvilluar. Madje është anulluar për shkak të mos vënies në kohë të tabelave elektronike, të cilat do të ishin funksionale gjatë gjithë lojës.
Për më tepër është bërë fjalë për tabelat që janë sipër koshit, të cilat orientojnë skuadrat në 24 sekondëshin e sulmit, si dhe lajmërojnë kohën gjatë zhvillimit të pjesës prej dhjetë minutash. Për më shumë se sa një orë punonjësit e Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” janë munduar për t’i bërë funksionale. Por sa rregullohej një krah, prishej krahu tjetër dhe asnjëherë këto tabela elektronike nuk kanë ardhur në atë nivel sa për ta bërë të mundur zhvillimin e ndeshjes.
Është zgjatur së tepërmi nxehja e lojtarëve të të dy skuadrave, por dhe e gjyqtarëve, ndërsa kanë qëndruar të tre së bashku në mesin e fushës në pritje të sinjalit të delegatit të ndeshjes, për fillimin e ndeshjes. Pas së cilës gjyqtari kryesor do t’i jepte dhe tre minuta për nxemje skuadrës. Është lodhur më së shumti publiku shkodran, tepër dashamirës me basketbollin e meshkujve, aq më tepër që Vllaznia është kampione e Shqipërisë.
Jo vetëm kaq, por janë strapacuar ultrasit shkodran “Vllaznit”, të cilët që në nxemje kanë filluar zhurmat me shallat e Vllaznisë dhe me flamurin kuqezi. Por në fund, pasi kanë pritur pa limit, madje kanë nisur dhe batutat mes lojtarëve malazez të të dy skuadrave, gjyqtarët kanë marrë vendimin për të mos e zhvilluar ndeshjen e kushtet e keq organizimit nga ekipi pritës. Që njerëzit kishin ardhur të shumtë në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” kanë paguar një çmim për atë biletë.
A i kompenson Vllaznia tifozët për atë që nuk i dha kënaqësinë e të shijuarit të një ndeshje ndërkombëtare. Jo vetëm kaq, por si ka mundësi që nuk u bënë funksionale tabelat elektronike, në një kohë që në provën gjenerale Vllaznia-Apolonia 81-57 ato kanë punuar. Por Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, ka treguar se kanë qenë tabelat e reja që sapo kanë mbërritur dhe shkodranët nuk kanë arritur t’ia marrin dorën në përdorim për t’i bërë funksionale për ndeshjen.
Me dashje, apo jo, Vllaznia dështoi në përmbushjen e organizimit të ndeshjes, edhe pse ka pasur përkrahjen maksimale dhe ndihmën e Federatës Shqiptare të Basketbollit.