Gjergj Vyshka 22.03.2016 07:55
Trajneri i Ardhmëria Basket: “Ne do të vazhdojmë me maksimumin tonë dhe asnjëherë nuk heqim dorë nga objektivi për të fituar ndeshjet dhe për të dalë në Superligë pa “play-off”. S’është e lehtë, por vazhdojmë punën tonë.”
Afrim Bilali, trajneri i Ardhmërisë Basket, nuk është i bindur se skuadra e tij e ka humbur realisht në fushë ndeshjen e së premtes me Superiorin. Sipas tij kanë ndikuar palë të treta në atë ndeshje, sidomos sa herë që Ardhmëria dilte në epërsi.
Për kreun e stolit të Ardhmëria Basket, skuadra ka dhënë maksimumin duke luajtur mirë si në mbrojtje, ashtu dhe në sulm. Mirëpo ja që gjërat nuk shkuan si dy ndeshjet e para, kur fitoi.
E megjithatë Ardhmëria Basket nuk ka hequr dorë nga objektivi për të dalë në Superligë, ndonëse në fazën e katërt ka një kalendar të vështirë, ndërsa kërkon të kthehet tek fitorja që në ndeshjen e së premtes me Elbasanin.
Ja dhe intervista e tij për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Ndeshja e tretë me Superiorin dhe vjen humbja, çfarë ka ndodhur?
– Nuk kam se çfarë them më shumë se sa çfarë është thënë në media, teksa është cilësuar: “Superiori i gjen marifetin Ardhmërisë…”. Le ta kuptojnë si të duan, sepse në të vërtetë ndeshjen na e kanë humbur palë të treta. Pra nga jashtë fushës.
– A pati ndonjë defekt gjatë lojës skuadra?
– Nuk mendoj se ka pasur defekte. E gjithë skuadra dha maksimumin. Luajti mirë si në sulm, ashtu dhe në mbrojtje. Por nuk e lanë të fitojë.
– Çfarë do të kërkoje më shumë ose ndryshe nga ekipi?
– Shiko nuk kam se çfarë të kërkoj. Problemi është se sa herë që ne dilnim në epërsi, aq herë na frenonin dhe penalizoheshim nga palë të treta. Pra e thënë ndryshe ajo ndeshje është luajtur jashtë fushës së basketbollit. Megjithatë gara vazhdon dhe ne nuk kemi hequr dorë nga objektivat.
– Të premten ndaj Elbasanit…
– Ne jemi duke u përgatitur me maksimumin tonë. Kërkojmë ta fitojmë dhe takimin dhe të vazhdojmë të kryesojmë kampionatin. E kemi mbyllur fazën e parë vetëm me një humbje, kurse tani kemi pësuar të radhës. E megjithatë ne vazhdojmë në rrugën tonë.
– Faza e katërt duket se është më e vështirë në kushtet kur do të luani me Superiorin, apo dhe në fushë të huaj me Elbasanin. Atëherë?
– Shiko të dalësh në Superligë nuk është e lehtë. E megjithatë ne do t’ia bëjmë “hyzmetin” deri në fund, sepse duhet të dalim mes më të mirëve të basketbollit shqiptar pa pasur nevojën e “play-off”-it dhe shpresoj të ndodhë kështu.
– Jemi në prag të zgjedhjeve, ka pasur ndikim në këtë periudhë në kampionat?
– Unë shoh skuadrën time. Kemi objektivat e qarta dhe duam të dalim në Superligë. Nuk e di se çfarë bëhet me të tjerë, apo me ato që kanë interesa për t’u zgjedhur. Por ne jemi në garë dhe vazhdojmë garën.
– Së fundi, ka ardhur njeri për të bërë fushatë?
– Ne jemi shoqatë dhe kemi shpallur objektivat tona jo vetëm për kampionatin, por dhe për atë që do të bëjmë në Asamblenë Zgjedhore. Për të tjerat nuk interesohemi shumë. Kemi qëllimin të vazhdojmë garën duke fituar çdo ndeshje.