ASNN – Veshjes kuqeblu në fazën e dytë të tre basketbollistëve amerikanë, si dhe Algert Gjonajt dhe Juli Hamatit nga kampionati shqiptar, tashmë do t’i shtohet edhe trajneri i huaj. E financat janë të shëndosha për këtë çështje. Ish-basketbollisti shkodran, tanimë në cilësinë e inspektorit të lojërave me dorë në Klubin Shumësportësh “Vllaznia”, Astrit Zaganjori bën të ditur në fillim të javës është biseduar fillimisht me trajnerin e njohur malazez, Petar Mihoviç.
Një trajner që në fakt e ka propozuar vete trajneri Gjeçaj, duke qenë se ka bashkëpunuar me të në kohën kur ai luante kampionatin kosovar me Bashkimin e Prizrenit. Por edhe pse qe rënë dakord me të gjitha me të, ndërsa pritej dhe ardhja e tij, madje për të qenë që sonte në krye të Vllaznisë në përballjen e kampionatit me Ardhmëria Basket, Mihoviç ka prishur gjithçka. Malazezi dje ka telefonuar në Klubin Shumësportësh “Vllaznia”, ndërsa ka prishur gjithçka.
Nga sa bëhet e ditur shkak është bërë një ofertë shumë serioze që ai ka marrë nga Turqia, ku këto ditë pritet të marrë drejtimin e një klubi të atjeshëm. Por drejtuesit kuqeblu nuk kanë qëndruar duarkryq dhe menjëherë janë vënë në lëvizje për të gjetur emrin e radhës. Gjithnjë sipas inspektorit Zaganjori, ai është Jeronimo Sarin, kroati që ka qenë në drejtim tek SIGAL Prishtina dhe që aktualisht është pushim.
Nga bisedat e para, trajneri kroat ka dhënë pëlqimin dhe me të gjitha gjasat ai pritet të jetë në Shkodër këtë fundjavë për të mbyllur gjithçka zyrtarisht. E më pas për të nisur menjëherë punën në krye të basketbollit shkodran duke pasur në krahë dyshen shkodrane, trajnerin aktual Bledar Gjeçaj dhe ndihmësin e tij Fatjon Halluni, në kërkim të titullit të 10-të “kampion”.