Gjergj Vyshka 17.02.2016 10:25
Trajneri: “Unë kam objeksionet e mia për mënyren se si bëhet sepse merret për bazë renditja e fundsezonit dhe pastaj çiftet ndahen sipas vendeve në fazën e parë. Megjithatë Tirana do ta tregojë veten.”
Tre skuadra të Tiranës, Kamza Basket, Partizani dhe Tirana, përballë Vllaznisë në Shkodër për gjysmëfinalet, që nisin sot, dhe finalen e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.
Nuk janë bërë dot bashkë për ta organizuar në Tiranë këtë veprimtari të dytë dhe për Roland Avramin, trajnerin e bardhebluve në basketboll për meshkuj, s’është normale që përsëri Kupa e Shqipërisë organizohet në Shkodër.
Sikurse sipas tij nuk është normale dhe lëvizja që ka bërë Vllaznia, kur i ka marrë Algert Gjonajn Tiranës. Bardheblutë janë përforcuar me Erind Hasanin, ndërsa për kampionatin Avrami ka bërë llogari të tjera.
Madje i ka kërkuar klubi dhe drejtori të shumësportëshit bardheblu, Pirro Koleka, që të lëvizin në mënyrë që në “play-off”, Tirana të jetë në shtëpinë e saj në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet dhe jo më në “Asllan Rusi”.
Ja dhe intervista e trajnerit të Tiranës, Roland Avrami, për “Sport Ekspres”:
– Si vjen Tirana në këtë Kupë Shqipërie?
– Së pari nuk është fare normale që kjo Kupë zhvillohet në Shkodër. Sepse janë tre skuadra të kryeqytetit përballë Vllaznisë. Është thënë që marrin përsipër të paguajnë. Por çfarë paguajnë, udhëtimin? Kur fare mirë ia merrnim ne përsipër. Jo vetëm kaq, por unë kam objeksionet e mia dhe për formulën. Thuhet me renditjen e fundsezonit e më pas çiftet janë mbi bazën e vendosjes në renditje të fazës së parë. Kjo nuk është normale.
– Nëse do të ishin bërë bashkë të tre skuadrat e kryeqytetit, Kamza Basket, Partizani dhe Tirana, a e merrnit përsipër organizimin?
– Sigurisht që e merrnim. Por kjo ishte e paravendosur dhe është e kotë ta diskutojmë. Duhet menduar gjë tjetër për sezonin e ardhshmë, sepse vazhdimisht në Shkodër nuk shkon. Aq më tepër që Kupa është me ndeshje teke.
– Si e parashikoni gjysmëfinalen ndaj Vllaznisë?
– Ato kanë një skuadër të mirë, të përforcuar duke na dobësuar ne. Sigurisht që nuk ishte normale lëvizja që ata bënë, sepse nuk pati moral në këtë lloj dëshire për të marrë një lojtar të një kundërshtari direkt. Ka pagesa dhe merkato. Por, sidoqoftë, ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë. Nëse rregullojmë nja dy gjëra në mbrojtje, atëherë ndeshja ka për të shkuar pse jo pikë më pikë. E më pas le të fitojë më i forti.
– Jeni përforcuar me Erind Hasanin. Sa ju ka bërë punë?
– Normal që na ka bërë punë, sepse kemi nja tre lojtarë të rinj, të cilët janë të perspektivës të dëmtuar. Kemi pasur probleme në qendër dhe mendoj se kemi rregulluar diçka. Shpresojmë që të jetë Tirana e vërtetë
– Tirana për kampionat?
– E ndryshojnë gjërat nga Kupa e Shqipërisë, sepse nuk do të jetë si sot me një ndeshje teke në Shkodër. Do të bëjmë gjithçka më mirë jo vetëm në fazën e tretë e të katërt, por dhe në “play-off”. Sepse synojmë të marrim trofe
– Së fundi, çfarë jeni duke bërë që në “play-off” të luani si gjithë të tjerët, pra në “Fahrie Hoti”?
– Nuk është aspak normale që jemi dënuar kaq gjatë për të mos luajtur në “play-off” në “Fahrie Hoti”. Unë e kam ngritur si shqetësim. E kemi diskutuar me stafin drejtues të klubit dhe besoj që diçka do të bëjmë. Tirana duhet të jetë si gjithë të tjerat në fushën e vet në “play-off” për titull “kampion”.
Kupa e Shqipërisë 2016
Basketboll Meshkuj
Gjysmëfinalet:
Sot:
Kamza Basket – Partizani ora 17:00
Vllaznia – Tirana ora 19:00
Finalja:
Të enjten ora 18:00