Gjergj Vyshka 04.02.2017 19:15
Ofendime ndaj shkodranëve, hedhje të objekteve në fushë, por dhe tentativë përplasjeje shmangur nga policia dhe lojtarët bardheblu. Ndryshe nga çfarë kanë vendosur të bëjnë me ekipin e futbollit, “Tirona-Fanatiks” ka qenë e pranishme në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”. E përballë tyre një pjesë e mbështetësve të Vllaznisë.
Karshi tyre nuk kanë munguar ofendimet me fjalë fyese, madje dhe hedhje objektesh, njërin prej të cilëve trajneri Gjeçaj ia ka treguar dhe gjyqtarit Cici. Për rrjedhojë në këtë atmosferë të ndezur, forcat e policisë jo vetëm që kanë qenë të shumta, por si shtesë kanë qenë edhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, të quajtur ndryshe si “Shqiponjat”.
Dhe në fakt në fund Tirana ka festuar me tifozët e saj, të cilët kanë zbritur në parket dhe kanë nisur të thërrasin ndaj “hasmit” të tyre të përhershëm, që është Partizani. Duhet theksuar se Salla Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet ka shumë pak dalje.
Për më tepër, aty nuk e bën një ndarje të njerëzve, pasi aty ku hyjnë lojtarët e të dy ekipeve, gjyqtarët, tifozët e Tiranës, kanë qenë të detyruar të dalin dhe mbështetësit e Vllaznisë. Dhe, në përfundim të ndeshjes, me njërin prej tyre “Fanatiksat” kanë tentuar të konfrontohen.
Vetëm “blloku” i policave të Shqiponjës, si dhe ndërhyrja e kapitenit Shima, Hysenagollit, Voglit dhe Strazimirit ka qetësuar situatën. Dhe në fund të gjitha palët janë ndarë paqësisht.