Gjergj Vyshka 16.01.2016 12:20
“Tirana Eagles Basket”, apo skuadra e basketbollit të meshkujve “Eagles”, të enjten në mbrëmje ka bërë goditjen e tretë në merkaton e dimrit. Pas Heri Tices dhe Erald Gorellarit, tashmë pjesë e kësaj skuadre është bërë edhe Arlind Vogli, që është basketbollist i kombëtares së Nën-20-vjeçarëve të Shqipërisë, si dhe një lojtar që luan në qendër.
Të paktën edhe sipas trajnerit të “Tirana Eagles”, Klarent Dedaj, të enjten në mbrëmje në ish-palestrën e klubit shumësportësh “Partizani”, Vogli është pritur me entuziazëm nga e gjithë skuadra. “Jemi në hapat e fundit për lojtarin e katërt në këtë merkato, ndërsa shpresojmë që të jetë me ne në pjesën në vazhdim të sezonit”, – ka thënë Dedaj, ndërsa emri i lojtarit derisa të mbyllet në favor të “Tirana Eagles” është sekret.
“Me mbylljen e skuadrës, e cila do të përballojë pjesën e dytë të sezonit, të paktën nga mesi i javës, ne shpresojmë që të mbyllin të gjitha detyrimet edhe në Federatën Shqiptare të Basketbollit, – ka vijuar ai. – E më pas gjithçka do të përqendrohet në përgatitjen për fazën e dytë të kampionatit.”
“Ne duam të lëmë gjurmë në kampionat dhe duke respektuar maksimalisht miqtë dhe vlerat e tyre, atëherë ne do të bëjmë më të mirën tonë. Do të jemi vërtetë një skuadër, e cila do të përballet denjësisht me të gjithë”, – ka përfunduar Dedaj, kurse Vogli është goditja e tretë e “Tirana Eagles”, në basketboll për meshkuj.