Gjergj Vyshka 22.01.2016 14:35
Arlind Vogli një nga blerjet më të fundi të Eagles, jo vetëm që e ka quajtur rikthim në skuadër, por ka falënderuar trajnerin Klarent Dedaj që e ka rimarrë në skuadër. “Mendoj që së bashku me djemtë e rinj që ndodhen në këtë skuadër do të jap maksimumin e këtu është fjala për objektivat që ka skuadra për sezonin 2015-2016, – ka deklaruar ai. – Janë duke u hedhur bazat e shëndosha për një skuadër të fortë, sidomos për sezonin e ri 2016-2017.”
“Dua t’i jap konsideratat e mia trajnerit të Superior Klimës, Eduard Çarçani, në veçanti për seriozitetin, pasionin, dëshirën për të injektuar tek brezi jonë dashurinë dhe bazat më të mira të basketbollit modern që ai i mishëron dhe ka shfaqur e shfaq çdo ditë, – ka vijuar Vogli. – Sepse është një nga trajnerët më të mirë dhe më të spikatur të Shqipërisë dhe falënderoj të gjithë skuadrën për seriozitetin, konkurrencën e ndershme dhe familjaritetin e ngrohtësinë që gjeta në atë ekipi.”
“Rikthimi im tek TEB dhe skuadra Eagles është një plus i madh për mua nga ana profesionale, – ka theksuar basketbollisti. – Gjithashtu është një rikthim në skuadrën time të parë. Jam rikthyer për të dhënë më të mirën time dhe skuadra ka një mentalitet për të bërë gjërat e mira në ekip. “Tirana Eagles Basket” i ka qëndruar 100 % idesë së vet për të grumbulluar rininë e kryeqytetit që të luajë basket. Unë besoj se skuadra ka fituar eksperiencë.”
“Superior Klima dhe Ardhmëria Basket janë skuadrat më të mira të Kategorisë së Parë. Mendoj se Eagles është ekip që ka pritshmëri të mëdha, ndërsa është duke siguruar bazat e mira për sezonin e ardhshëm”, – ka përfunduar basketbollisti i skuadrës kryeqytetase, Arlind Vogli