Amerikani Kris Oliver është shprehur i kënaqur që i bashkohet Vllaznisë. “Jam shumë i lumtur që jam këtu në Shkodër, – ka thënë ai pas zbarkimit dhe prezantimit në Shkodër. E pranova me dëshirë ftesën e Vllaznisë dhe i jam bashkuar në këtë pjesë finale të sezonit për të fituar titullin “kampion”.”
“Lojën e Vllaznisë përgjithësisht e njoh, sepse kemi pasur rastin të ballafaqohemi në ndeshjet miqësore me ekipin tim në Kosovë”, – ka vijuar Kris Oliveri, basketbollist që më parë përpos Suharekës ka luajtur edhe në kampionatin gjeorgjian. “Po e pres me shumë emocion ditën e shtunë për të qenë pjesë e Vllaznisë në ndeshjen e radhës.”
“Ndeshja që do të luhet këtu në Shkodër përballë Kamzës”, – ka shtuar amerikani i sapombërritur tek Vllaznia, i cili ka pasur dhe një mesazh për tifozerinë kuqeblu: “Përshëndes tifozerinë e zjarrtë shkodrane duke i premtuar se në ndeshjen e fundjavës do të jem në lojë.”
“Garantojmë që, së bashku, me kolegët e tij të skuadrës të dhurojmë një spektakël të vërtetë në fushën e lojës, jo vetëm në këtë përballje, por edhe në “play-off”, duke besuar që Vllaznia do të jetë kampionia e Shqipërisë”, – ka përfunduar basketbollisti i kuqebluve të koshit.