Gjergj Vyshka 22.11.2014 14:50
Që nga 30 shtatori i këtij viti, me firmën e presidentit Avni Ponari, Federata Shqiptare e Basketbollit ka konfirmuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në finalet e Kampionatit Evropian të moshave deri në 16 vjeç, 18 vjeç dhe 20 vjeç. Më konkretisht bëhet fjalë për meshkuj dhe femra Nën-16-vjeç, meshkuj dhe femra
Nën-18-vjeç dhe meshkuj Nën-20-vjeç. Madje sipas datave të përcaktuara që më parë nga Federata Evropiane e Basketbollit, të parët që zbresin në parket janë Nën-20-vjeçarët, të cilët ndeshjet e tyre të Divizionit A dhe B i kanë nga data 7, deri më 19 korrik.
Më pas, nga data 22 korrik, deri më 2 gusht 2015 do të jenë djemtë, Nën-18-vjeçarët, që do të masin forcat në Evropian. Për të vazhduar me vajzat Nën-18-vjeç, nga data 30 korrik, deri më 9 gusht 2015, me meshkujt Nën-16-vjeç, nga data 6, deri më 16 gusht 2015.
Dhe mbyllin gjithçka vajzat Nën-16-vjeç, nga data 13, deri më 23 gusht 2015. Tashmë, kjo edhe sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, shorti i finaleve të Kampionatit Evropian të Moshave, Divizioni A dhe B, do të hidhet më 29 nëntor në Budapest.
Sakaq Federata Shqiptare e Basketbollit ka nisur dhe seleksionimin e kandidatëve për kombëtaret të moshave. Pas Nën-20-vjeçarëve, më 25-26 nëntor në ora 15:00-17:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” do të bëhet seleksionimi i djemve për kombëtaren e Nën-18-vjeçarëve, ndërsa duhet të jenë të datëlindjes 1997-1998. Dhe tashmë kuqezinjtë janë në pritje të kundërshtarëve.