AlbanianSport.com 31.01.2016 20:25
ASNN – Kërkesa bazë e trajnerit të Bashkimit të Prizrenit për të marrë kombëtaren e Shqipërisë: “Të jenë edhe lojtarët kosovarë”. Petar Mijoviç, trajneri i Bashkimit të Prizrenit, është kandidati për kombëtaren e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, të paktën sipas gazetës kosovare “Zëri”. Sipas tij, Federata Shqiptare e Basketbollit i ka bërë ofertë malazezit, që e ka konfirmuar një gjë të tillë. “Kam marrë ofertë nga Shqipëria që ta drejtoj ekipin kombëtar të tyre gjatë eliminatoreve”, – ka thënë ai për të përditshmen kosovare.
“Por fillimisht duhet të bisedoj me drejtuesit e klubit të Bashkimit dhe të marr edhe një mendim nga këta të fundit”, – ka shtuar për “Zërin” Mijoviç, i cili druan se edhe nëse e pranon ofertën nga Tirana nuk do të ketë kohë të mjaftueshme në dispozicion për ta përgatitur mirë ekipin. Ai i ka bërë edhe një kërkesë shumë sfiduese FSHB-së, thuajse e parealizueshme, që ndërlidhet me pjesëmarrjen e Kosovës në të njëjtat eliminatore. “Edhe drejtuesve të Kombëtares Shqiptare ua kam bërë me dije se nëse nuk vijnë ata lojtarë, të cilët kanë qenë edhe më herët, nuk do të pranoj këtë detyrë”, – ka theksuar ai.
E megjithatë deri më 15 shkurt, koha limit që presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka vendosur për të zgjedhur trajnerin e kombëtares së meshkujve, do të jetë një mundësi e gjatë bisedimesh. Sepse vetëm kështu mund të zgjidhet më i miri për Shqipërinë, ndërsa Petar Mijoviç pretendon se tashmë e ka marrë një ofertë nga drejtuesit e FSHB-së.