AlbanianSport.com 26.04.2016 18:45
ASNN – Liga Ballkanike e Basketbollit për Meshkuj (BIBL), është e gatshme që në edicionin e ardhshëm, 2016-2017, të hap dyertë për katër skuadra nga Kosova. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë drejtori sportiv i BIBL-së, Shei Shtriks, i cili ka shtuar se ekipet kosovare tashmë e kanë dëshmuar veten në këtë ligë, në të cilën po marrin pjesë që prej edicionit 2013-2014.
SIGAL Prishtina dhe Peja ishin skuadrat e para që morën pjesë në këtë veprimtari rajonale, kurse në edicionin që sapo përfundoi numri i ekipeve nga Kosova, u rrit në tri, pasi u përfshi edhe Bashkimi. Emrin e mirë të skuadrave kosovare në këtë Ligë, e rriti sidomos SIGAL Prishtina, që në dy edicionet e fundit është shpallur “kampione” e Gadishullit.
Vetëm edhe dy skuadra të tjera, bullgarët e Levskit dhe izraelitët e Galil Gilboas e kanë fituar nga dy tituj në këtë garë. “Ishte një edicion shumë i mirë, në veçanti për skuadrat nga Kosova, – ka deklaruar Shtriks për mediat e Prishtinës. – Prej anës sonë, BIBL ka vend për 2 deri në 4 ekipe nga Kosova, por ne duhet këtë ta koordinojmë këtë së bashku me Federatën e Basketbollit të Kosovës.”
Ndërkohë, sikundër e pati pohuar edhe vetë izraeliti në fund të marsit në vizitën e tij në Tiranë, synimi i Shqipërisë për të marrë pjesë me dy skuadra në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL) është një hap në drejtimin e duhur për rritjen e nivelit të këtij sporti. “Besoj se tanimë ka ardhur koha që, në kuadër të rritjes së mëtejshme nivelit të basketbollit shqiptar, të paktën dy ekipe shqiptare të marrin pjesë në këtë Ligë Ballkanike”, – ka thënë Shtriks.
“Siç është vërejtur në rastin e ekipeve kosovare, të tilla si SIGAL Prishtina, Peja apo Bashkimi, pjesëmarrja në këtë veprimtari vetëm se ka ndihmuar për ta rritur nivelin e këtyre skuadrave, që kanë matur forcat me më të mirat e gadishullit”, – ka përfunduar kreu i BILB-së, sipas të cilit, edhe me mbështetjen e “SIGAL Uniqa Group me në krye presidentin Avni Ponari, synohet që Liga Ballkanike të zgjerohet në 16 apo 18 skuadra.