AlbanianSport.com 07/03/2019 19:20
ASNN – Është tashmë zyrtare: Shqipëria do të presë finalet e Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj. Faza finale e kësaj veprimtarie është planifikuar të luhet më 6 dhe 7 prill në kryeqytetin shqiptar, pikërisht në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës. Teuta është një skuadër pretendente për të fituar këtë veprimtari rajonale, sepse e ka siguruar pjesëmarrjen në 4-shen e parë të renditjes.
Fakti që luhet në Tiranë është një tjetër shtysë për Teutën që ta tentojë trofeun e Ligës Ballkanike. Madje të martën në mbrëmje, durrsakët kanë mundur në ndeshjen e fundit të tyre në grup Beroe Stara Zagorën e Bullgarisë, e cila është një skuadër mjaft cilësore dhe mbante vendin e parë në renditje me 9 fitore të plota në 9 ndeshje të luajtura, por që ka dalë e mundur nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala” i qytetit bregdetar.
Sa i takon formulës së “play-off”-it veprimtaria do të luhet në formën e gjysmëfinaleve, ku vendi i parë përballet me vendin e katërt dhe vendi i dytë me vendin e tretë. Do të jenë duele interesante dhe ku “Djemtë e detit” do të kenë një shans të provojnë veten në një veprimtari ku për herë të parë një skuadër nga Shqipëria arrin të renditet në katërshen e parë të klasifikimit, një arritje për skuadrën e Teutës.