Gjergj Vyshka 03.03.2016 18:25
Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka pritur dje ekipin e meshkujve, që nën drejtimin e Adem Muhametajt, më 18 shkurt në Shkodër është bërë fitues i Kupës së Shqipërisë. Pesë trofe në më pak se katër vjet, kjo është historia e një skuadre nisur nga A-ja. Kamza Basket në më pak se gati 10 ditë ka arritur tre fitore të rëndësishme. Ka mundur në gjysmëfinale Partizanin, 94-57, e më pas në finale Tiranën, 64-60.
Por fitorja më e bujshme është në kampionat të shtunën e kaluar në Shkodër, 51-69 ndaj Vllaznisë vendëse. Dhe për shkak të këtyre sukseseve, por dhe kupës së fituar, Kamza Basket është pritur dje në mesditë në mjediset e Bashkisë nga titullari i saj, Xhelal Mziu. Kryetari i Bashkisë i ka uruar të gjithë djemtë, por dhe trajnerin Adem Muhametaj për fitoren e Kupës së Shqipërisë në Shkodër më 18 shkurt.
“Ky ishte trofeu më i mirë dhe më i rëndësishëm që fitohet nga ju basketbollistët e Kamza Basket, – ka thënë Mziu. – Ju jo vetëm që mundët një kundërshtar të fortë si Tirana, por treguat që jeni të tillë edhe përballë Vllaznisë në Shkodër, një tjetër ekip për t’u vlerësuar. Mirëpo, ju treguat që me punë dhe me përkushtim në stërvitje, arrihet gjithçka.”
“Bravo dhe ju garantoj mbështetjen e vazhdueshme për gjithçka që do të bëni, sepse ju jeni imazhi më i mirë i qytetit të Kamzës”, – ka theksuar kryebashkiaku Mziu