AlbanianSport.com 10.03.2016 15:15
ASNN – Në një ceremoni të zhvilluar sot në kryeqytet, Federata Shqiptare e Basketbollit ka prezantuar qipriotin Antonis Kostandinides si trajnerin e ri të Kombëtares së meshkujve. Trajneri i ri ka premtuar një ndryshim rrënjësor në paraqitjen e Shqipërisë në parketin ndërkombëtar, ndërsa për presidentin e koshit shqiptar, Avni Ponari, ky 70-vjetor i Federatës e gjen këtë sport në rritje.
Qiprioti Antonis Kostadinides do të jetë trajneri i ri i Kombëtares shqiptare të basketbollit për meshkuj. Kontrata midis tij dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit është nënshkruar të enjten në kryeqytet dhe trajneri ka premtuar një ndryshim rrënjësor në paraqitjen e Shqipërisë në parketin ndërkombëtar. “Unë e kam të qartë që rezultatet e Shqipërisë gjatë këtij 10-vjeçari të fundit kanë qenë të dobëtë, por nuk e shikoj këtë detyrë si një mision të pamundur”, – ka thënë qiprioti.
“Përkundrazi, është një nisje e re, për të cilën ne do të bëjmë maksimumin që të jetë një nisje e mbarë dhe një mision i suksesshëm, – ka shtuar Kostadinides. – Por çdo gjë kërkon kohën e saj. Për presidentin e koshit shqiptar, Avni Ponari, ky 70-vjetor i Federatës e gjen këtë sport në rritje. Kontrata me trajnerin qipriot është e vlefshme deri në përfundim të ciklit të eliminatoreve.