Gjergj Vyshka 19.09.2015 08:05
Mungojnë Apolonia në basketboll për femra e për meshkuj, si dhe Studenti për meshkuj e Përmeti për femra, ndërsa regjistrohen për herë të parë Goga Basket, Superior Klima, Ardhmëria Basket dhe Tirana Eagles. Federata Shqiptare e Basketbollit është në prag të festimit të 70-vjetorit të themelimit të saj, që përkon, të paktën kjo edhe sipas sekretarit të përgjithshëm Korab Llazani, me fillimin e sezonit 2015-2016.
Pikërisht dje në ambientet e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” është hedhur shorti i kampionatit kombëtar të basketbollit shqiptar, i cili për të rriturat (Kategoria e Parë), si dhe për meshkuj (Superliga & Kategoria e Parë), do të nisë më 2 tetor. Përfaqësuesit e Flamurtarit, Partizanit, Teutës, Skënderbeu, Goga Basket dhe Superior Klimës kanë tërhequr numrat e tyre mbi bazën e së cilës formula nxjerr dhe përplasjet e këtij sezoni.
Në fakt si në asnjë vit tjetër, gjë që është vënë në dukje dhe më parë, ka një tërheqje të skuadrave elitare. Bëhet fjalë për nënkampionet e Apolonisë në basketboll për femra, që së bashku me skuadrën e djemve nuk do ta përfaqësojnë sivjet basketbollin e Fierit. Jo vetëm kaq, ndoshta edhe për një gjendje të vështirë financiare, për meshkuj nuk është Studenti.
Ashtu sikurse nuk është as Përmeti për femra që pas shumë vitesh shkëputjeje me të rriturat nuk e përballoi dot në nivel e rezultate kampionatin e të rriturave. Por… Ka një shtim të skuadrave private, ndërsa Goga Basket do të përfaqësohet me të rritura dhe të rritur. Kurse vetëm me djem në grupin A2 do të jenë Superiore Klima, Ardhmëria Basket dhe Tirana Eagles.
“Ndryshe nga edicioni i kaluar kemi një rritje të numrit të skuadrave pjesëmarrëse, gjë që shpresojmë që të na sjellë cilësinë”, – ka thënë Llazani