AlbanianSport.com 07/03/2020 18:40
ASNN – Emergjenca e koronavirusit ka arritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, madje edhe në Kampionatin Amerikan të Basketbollit (NBA). E po shikohet mundësia e zhvillimit të ndeshjeve me dyer të mbyllura. Pas lajmërimit të para pak ditësh për t’i instruktuar lojtarët mbi masat paraprake për t’u mbrojtur nga koronavirusi, e që duhen ndjekur gjatë ndeshjeve, NBA ka shpërndarë një tjetër njoftim për të 30 skuadrat, ku u ka kërkuar të përgatiten për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve me dyer të mbyllura.
Në veçanti, skuadrat duhet të identifikojnë se cilat janë masat e nevojshme për të zhvilluar ndeshje pa tifozë në shkallët e pallatave të sportit, me përjashtim të mediave dhe personave që normalisht duhet të jenë në arenë. Skuadrat, nëpërmjet stafeve mjekësore, gjithashtu duhet të kontrollojnë temperaturën e lojtarëve, trajnerëve dhe gjyqtarëve. Por i menjëhershëm dhe kategorik ka qenë reagimi i LëBron Xhejmsit.
“Unë luaj basketboll për shokët e mi dhe për tifozët, – ka thënë ai. – Mund të bëjnë ç’të duan, por unë nuk luaj në një pallat sporti me dyer të mbyllura.” Ky është pra reagimi i LëBron Xhejmsit, mbi hipotezën për ta zhvilluar kampionatin e NBA-së me dyer të mbyllura për shkak të koronavirusit. Ylli i Los Anxheles Lejkërs, pasi ka fituar supersfidën me Miluoki Baks, ka dhënë mendimin e tij: “Të luash pa publik është e pamundur. Nuk luaj, nëse nuk ka tifozë në tribuna.”