Gjergj Vyshka 04.08.2016 15:15
Qiprioti i stolit kuqezi përpara se t’i përgjigjej pyetjes së mediave për vështirësinë që mund të ketë mes skuadrës së tij të re në Kretë dhe kombëtares së Shqipërisë, ka treguar të gjithë atë çfarë do të mund të bëhet deri më 17 shtator 2016. “Së pari, – thotë Kostantinides, – më duhet të falënderoj presidentin Ponari për ftesën që më bëri dhe për besimin që pati tek unë për të drejtuar këtë përfaqësuese. Unë jam natyrë ambicioze, megjithëse misioni është i vështirë.”
“Ne jemi në proces seleksionimi dhe ne kemi në përfaqësuese lojtarë që do t’i shërbejnë kësaj përfaqësueseje, – ka vijuar ai. – Kemi shumë prurje, ndërsa duhet të krijojmë një ekip të fortë që të luajë njësoj si në sulm, ashtu dhe në mbrojtje. Ne shpresojmë të kemi rezultate sa më të mira, ndonëse jemi përballë kundërshtarësh të vështirë si Gjeorgjia dhe Mali i Zi, të cilët kanë në përbërjen e tyre lojtarë që marrin pjesë në Ligën e Evropës dhe NBA.”
“Ajo që duhet të them unë është se nuk do të ketë diferencime, – ka shtuar qiprioti që deri sezonin e shkuar drejtoi SIGAL Prishtinën. – Do të jemi si një familje e madhe, gjë të cilën do t’ia kërkojmë dhe tifozëve. Le ta konsiderojmë këtë kombëtare ashtu sikurse ishte ajo e De Biazit në Evropian.” Dhe në fund Kostantinides ka pranuar që do të jetë gabim nëse do të përqendrohemi vetëm në këto Eliminatore. “Mua më vjen keq që disa lojtarë edhe për arsye impenjimesh personale nuk u përgjigjen”, – ka pohuar ai.
“Megjithatë sa për rastin mes skuadrës greke të Kretës dhe kombëtares, problemi do të jetë tek presidenti i skuadrës, gjë të cilën shpresoj ta zgjidhin me Ponarin. Por ne jemi këtu për të paraqitur një kombëtare ndryshe të basketbollit meshkuj”, – ka përfunduar Antonis Konstantinides.
Lista e kombëtares së basketbollit për meshkuj:
Elvis Dusha (Angli), Robert Shestani (Kamza Basket), Mired Jani (Tirana), Aldor Kola (SHBA), Red Vogli (Tirana), Genti Lasku (Tirana), Adriano Topalli (SHBA), Çelis Taflaj (Itali), Algert Gjonaj (Vllaznia), Marsel Aliaj (Teuta), Dod Lekndreaj (Vllaznia), Abdel Gjyzeli (Tirana), Julian Hamati (Kamza Basket), Gerti Shima (Sigal Prishtina), Besnik Biberaj (SHBA), Endrid Hysenagolli (Bashkimi Prizren), Denis Deda (SHBA), Herion Faslija (Vllaznia), Franci Zeneli (Itali)
Trajner: Antonis Kostantinides
Ndihmëstrajnerë: Afrim Bilali dhe Endri Rumani
Kalendari i Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2017
31 gusht 2016 Gjeorgji – Shqipëri ora 19:00
3 shtator 2016 Shqipëri – Mali i Zi ora 19:00
7 shtator 2016 Sllovaki – Shqipëri ora 18:00
10 shtator 2016 Shqipëri – Gjeorgji ora 19:00
14 shtator 2016 Mali i Zi – Shqipëri ora 21:00
17 shtator 2016 Shqipëri – Sllovaki ora 19:00