Gjergj Vyshka 22.06.2016 23:10
Kjo e Nën-16-vjeçarëve (djem) është Kombëtarja që tashmë ka nisur fazën themelore të përgatitjeve dhe që drejtohet nga Afrim Bilali. “Ne kemi nisur grumbullimin që nga dita e djeshme dhe do të punojmë me dy stërvitje në ditë”, – ka thënë trajneri i ri.
“Na duhen dhe disa seanca të tjera stërvitore për të bërë një përzgjedhje përfundimtare të skuadrës dhe për të vazhduar më pas punën me ekip të plotë”, – ka vijuar ish-basketbollisti i mirënjohur.
“Janë 6-7 lojtarë që mund të bëjnë diferencën dhe ne shpresojmë që të bëjmë më të mirën”, – thotë Bilali, ndërsa kombëtarja e Nën-16-vjeçarëve do të marrë pjesë në Divizionin C, dhe do të luajë, nga data 17, deri më 24 korrik 2016 në Nikozia të Qipros.
Shqipëria do të jetë përballë Gjibraltarit, Moldavisë, Armenisë, Andorrës. Madje parashikohet të ketë dhe një turne miqësor në Tiranë, nga data 28 qershor, deri më 3 korrik 2016, ku pritet të jetë dhe përfaqësuesja e Nën-16-vjeçarëve të Qipros.
Por gjithçka mbetet për t’u konfirmuar. Megjithatë tashmë dhe kjo kombëtare është në punë e sipër dhe me shumë intensitet.