Gjergj Vyshka 14.06.2016 08:40
Mijoviç seleksionon 53 lojtarë, por duket se nuk gjen ato që duhet, ndërsa Vujaçiç duhet të punojë me 24 lojtarët e zgjedhur për të çuar 12 basketbollistë në ndeshjet që do të luhen në Halkidhiki të Greqisë, nga data 15, deri më 24 korrik 2016.
Ashtu sikurse ishte lajmëruar dhe më parë, dje në parketin e sallës kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” ka qenë kombëtarja e Nën-18 për djem, e cila në Divizionin B do të drejtohet nga Petar Mijoviç.
53 lojtarë kanë qenë në seancën e parë stërvitore, ndërsa Mijoviç është në pritje të basketbollistëve që luajnë në Itali dhe Greqi, apo dhe gjetiu tjetër. “Ka prurje, – ka thënë Mijoviçi, – por ende nuk mund të them se janë në nivelin që i duhen kombëtares së Nën-18-vjeçarëve.”
“Kemi shumë punë për të bërë për të paraqitur një Shqipëri dinjitoze në Divizionin B”, – ka përfunduar trajneri malaz i kuqezinjve të koshit. Ndërkohë Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve do të jetë dhe sot në stërvitje.