Gjergj Vyshka 05.12.2016 07:55
Tirana e basketbollit të meshkujve përgatitet ta përurojë Sallën Sportive “Fahrie Hoti” me ndeshjen e Ligës Ballkanike ndaj maqedonasve të MKK Feni Industries. Një ndeshje që do të zhvillohet të mërkurën në ora 19:00. Sipas menaxherit të përgjithshëm të klubit shumësportësh bardheblu, Anxhelo Koleka, në masën 99 %, Tirana ndaj maqedonasve të MKK Feni Industriers do të luajë në “Farie Hoti”.
“Jemi duke bërë përpjekjet maksimale për ta bërë gati atë sallë sipas kushteve të kërkuara, – ka deklaruar ai. – Dhe mendoj që, të martën, në ora 09:00 të mëngjesit Salla Sportive “Fahrie Hoti” do të jetë gati, jo vetëm për të gjitha ekipet e klubit shumësportësh të Tiranës, por dhe për të mirëpritur maqedonasit e MKK Feni Industries për ndeshjen e radhës.
“Sepse e di fort mirë që ndeshja e volejbollit Studenti-Zirat Bankasi Ankara, e cila do të luhet të mërkurën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, na prish shumë punë, – ka vijuar ai. – Sepse që një ditë përpara nuk mund të bëhet stërvitje në kushtet kur atje do të shtrohet tarafleksi. Ndaj bërja gati e sallës sportive “Farie Hoti” për Ligën Ballkanike e për të gjitha ndeshjet e Tiranës në vazhdim është çështje urgjente dhe unë shpresoj që të përfundojë”.