AlbanianSport.com 05/08/2018 11:55
ASNN – Ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në parketin kontinental dhe Ibrahim Karabegut thotë se karriera e tij si trajner basketbolli përfundoi të dielën e shkuar, me suksesin e arritur në Divizionin C të Kampionatit Evropian të grupmoshës deri në 18 vjeç.
Karabegu e udhëhoqi Kosovën e kësaj grupmoshe drejt suksesit historik në nivel përfaqësuesesh, dhe ai mburret që udhëhoqi drejt suksesit një gjeneratë që e vlerëson me të ardhme të ndritur. Kosova u shpall fituese e Divizionit C, ndeshjet të cilat u zhvilluan në Prishtinë, nga 22 deri më 29 korrik 2018.
Si kampione e këtij divizioni, Kosova është ngjitur një divizion më lart, në atë B. Por për Karabegun puna si trajner qoftë në përfaqësuese apo në ndonjë klub është mbyllur me këtë sukses. Kjo ishte një lloj “qershie mbi tortë” dhe ai nuk ka dëshirë ta prishë këtë ndjesi.
“E kam mbyllur karrierën si trajner dhe tani pres nga Federata e Basketbollit e Kosovës që të më angazhojë në ndonjë rol tjetër, – ka deklaruar Karabegu për mediat e Kosovës. – Synoj të punoj me trajnerë dhe të krijoj trajnerë të rinj. I mbetet Federatës të më hapë dyert.”