AlbanianSport.com 28/01/2019 16:00
ASNN – “Kosova nuk është më Serbi dhe serbët duhet të mësohen me këtë fakt dhe të bëjnë përpara.” Këto deklarata të forta nuk kanë ardhur nga një politikan apo historian, por nga një sportist i përfaqësueses së Serbisë. Basketbollisti i skuadrës turke të Fenerbahçes, Nikola Kaliniç, i ka bërë këto deklarata në një intervistë të gjatë për mediat serbe. Basketbollisti i skuadrës turke të Fenerbahçes dhe i përfaqësueses së Serbisë, Nikola Kaliniç, në një intervistë të gjatë për mediat serbe, e ka pranuar se Kosova nuk i takon më Serbisë.
“Që kur kam ardhur e jam bërë i vetëdijshëm, kam dëgjuar vetëm për probleme dhe shqetësime rreth Kosovës, – ka deklaruar ai. – Jam i vetëdijshëm se dikush do të më urrejë, por është koha që dikush ta thotë publikisht. Hajdeni ta zgjidhim këtë problem, të nxjerrim çka mundemi dhe të vazhdojmë tutje”. Më tej, Kaliniçi ka qenë edhe më i ashpër, duke theksuar: “Lufta e Kosovës ka ndodhur para më shumë se 600 vjetësh, ndërsa ka shumë dekada që ajo nuk është territor “yni”, le të më korrigjojnë më të vjetrit dhe më të mençurit, nëse gaboj.”
“Askush nuk jeton nga e kaluara dhe sa më parë të mësohemi me këtë dhe të vazhdojmë përpara, aq më mirë do ta kemi, – ka vijuar ai. – Nuk jemi popull qiellor, madje nuk kemi qenë kurrë, kemi pasur momente të shkëlqyera në të kaluarën, por duhet të pajtohemi me faktin se tani jemi pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës. Kush nuk më beson le të udhëtojë pak nëpër botë dhe t’ju thotë të huajve prej nga është dhe çka është, do të përjetojë një tronditje, jam i sigurt. Unë e kam përjetuar.”
“Kohë më parë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Gjermanisë dhe Francës. E para ishte në vitin 1963, pra pas 16 vjetësh të gjithë asaj që ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore. Hej, 16 vjet nga krimet dhe viktimat, e kanë kuptuar se duhet të punojnë bashkë, dhe shihni se ku janë tani? E ne edhe më tej flasim për luftën e Kosovës dhe kush e di për çfarë…”, – ka përfunduar basketbollisti i Fenerbahçes dhe përfaqësueses së Serbisë, Nikola Kaliniç.