Gjergj Vyshka 19.01.2016 07:55
Ish-trajneri i Teutës në basketboll për meshkuj: Për skuadrën ka qenë një surprizë e madhe, sepse deri të enjten ne kemi qenë në stërvitje bashkë. Ka pasur tentativa për të më rikthyer, por s’ka më kthim prapa.
Xhelal Kalaja është trajneri i dytë në basketbollin e meshkujve që është larguar për këtë sezon. Ashtu sikurse Bujar Shehu, që pati dhënë dorëheqjen nga Tirana, edhe Kalaja e ka marrë vetë vendimin për të ikur. Sigurisht që ka arsye shumë të mëdha që ka lënë një punë në mes, që është shoqëruar me zhgënjim, por pse jo dhe me një “pishman” pse la Italinë për të ardhur sërish në Shqipëri në një vend ku “të gjithë dinë gjithçka, por për fat të keq nuk dinë asgjë”. Edhe pse janë drejtues e financojnë ekipet e basketbollit të meshkujve.
Për rrjedhojë edhe për të mos i shtirë më tepër idhnim vetes për këtë vendim, Kalaja, duke pranuar për Sport Ekspres që nuk kanë qenë rezultatet arsyeja e largimit të tij nga Teuta, ka vendosur ta kalojë gjithçka me anën personale. Shmang polemikat dhe debat dhe vijon normalisht jetën e tij në Tiranë kuptohet në kërkim të një tjetër stoli, sepse shkodrani, i njohur si basketbollist, si gjyqtar dhe si trajner, e ka të lidhur jetën e tij me lojën e koshit. “Nuk janë rezultatet ato që më larguan. Që të iki Xhelal Kalaja nga skuadra, dhe këtë duhet ta fiksojnë mirë të gjithë në tru, do të thotë as më pak e as më shumë një dëm i madh për basketbollin shqiptar. Një trajner që vjen nga Seria B e Italisë, me titullin trajneri më i mirë i provincës së Latinës në rajonin e Lacios, me eksperiencën e gjatë në basketbollin e luajtur, në fushën e gjykimit dhe trajnimit, është humbje. Arsyet janë thjesht personale dhe për respekt të punës që kam bërë me atë ekip dhe të atyre djemve nuk jap asnjë shpjegim më tepër pse jam larguar dhe kam marrë këtë vendim, që për mua është shumë i rëndë”, thotë Kalaja për Sport Ekspres. Në fakt me të Teuta, duke pasur në gjirin e vet lojtarë si Llazani, Gorea, Aliaj, Pasha, Thana, Isaku, Ndreko, Skilja, Isufi etj, sot është në vendin e katërt dhe as më pak e as më shumë, por është pretendent serioz për të qenë në Play-off. Dhe fitorja ndaj Tiranës në miqësore, teksa durrsakët janë ndjekur në shkallët e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit nga malazezi Milatoviç, është efekti i stërvitjes së bërë nga shkodrani. “Për skuadrën ka qenë surprizë ky largim i imi. Ka pasur tentativa të vazhdueshme për të më rikthyer, por ka qenë vonë. Një vendim i dhimbshëm për mua, por është pa kthim”, ka shpjeguar Xhelal Kalaja, kurse kështu shkodrani tashmë është në pritje të ofertave për të marrë një tjetër ekipi, pse jo dhe ndonjë kombëtare të Shqipërisë në kushtet kur jo vetëm për moshat, por dhe për të rriturit shorti i Evropianit mësohet ditën e premte, teksa hidhet në mesditë në Mynih.