AlbanianSport.com 12/10/2018 08:50
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit do të luajë këtë fundjavë ndeshjet e javës së dytë, si tek meshkujt, ashtu edhe tek femrat. Pikërisht sot, në nivelin më të lartë, në Superligën e meshkujve, do të përballen në Durrës Teuta-Vllaznia, ndërsa dueli “derbi” është ai i Sallës Sportive të Bathores, midis Kamza Basketit dhe Partizanit. Të dyja ndeshjet do të luhen në orën 18:00. Një tjetër ndeshje derbi sot është ajo në kategorinë e femrave midis Studentit dhe SH.K.B. Tirana Femra, që do të zhvillohet në orën 17:00.
Pra tre takime të nivelit të lartë për kushtet e basketbollit shqiptar, duele që do të thonë shumë për gjendjen e skuadrave, renditjen dhe pritshmëritë e tyre gjatë këtij sezoni. Jemi ende në fillimet e garës dhe rruga drejt titullit është e gjatë, por përplasje të tilla kthejnë vëmendjen nga rivaliteti në sportin e koshit në Shqipëri. E ndërsa rivaliteti dhe potenciali i skuadrave mbetet për t’u parë, duhet theksuar gjithashtu se klubet janë në garë me kohën për të pasur një përgatitje të nevojshme brenda objektivave të tyre, si dhe për të harmonizuar elementët.
Natyrisht, shumë gjëra kanë ndryshuar në basketbollin shqiptar, sikurse dhe mjaft risi na presin në këtë edicion të ri. Kjo javë e dytë e kampionatit, do të vijojë nesër me ndeshjet e tjera e konkretisht: tek meshkujt me superduelin interesant, Goga Basket-Tirana, që do të luhet në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, duke nisur nga ora 17:00, ndërsa tek femrat me duelet Elbasani-Vllaznia (13:00) dhe SH.B.F. Tirana-Flamurtari (19:00).