Gjergj Vyshka 01.10.2014 13:25
Në fakt ashtu sikurse për klubet, edhe për kombëtaret, duke përjashtuar këtu ato të rritur e të rritura (për meshkuj nuk luajmë që nga 2012-ta dhe për femra që nga 2011-ta), e moshave rikthehemi në parketin ndërkombëtar pas një mungese ndoshta prej një dekade. Kështu kombëtarja e vajzave Nën-16-vjeç për herë të fundit ka marrë pjesë në një veprimtari evropiane më 2008-tën, atje ku në Divizionin C, që u luajt në Monako, nga data 14, deri më 19 korrik 2008, pati zënë vendin e dytë.
Më pas për vajza, në grupmoshën Nën-18-vjeç, mungojmë që më 2005-ën, teksa në Kupën e Promocionit, patëm zënë vendin e tretë. Madje për djem Nën-20-vjeç mungojmë në Divizionin B që më 2005-ën, teksa në grupin B të turit paraeliminator kemi zënë vendin e fundit. Për Nën-18-vjeç, quajtur ndryshe kampionati Evropian i të rinjve, është marrë pjesë më 2001-in, si dhe më parë më 1999. Kështu që ky kthim pas gati thuajse një dekade e gjithë kombëtareve te moshave duhet parë pozitivisht.
Kjo sepse sjell një perspektivë të mirë për të gjithë basketbollin shqiptar, i cili për hir të së vërtetës duhet pranuar se ka nevojë për më shumë pjesëmarrje ndërkombëtare. Dhe kjo e djeshmja, jo vetëm e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, por dhe e gjithë kryesisë së këtij institucioni duhet përshëndetur. Sepse Evropa duhet ta dijë dhe ta kuptojë që edhe në Shqipëri luhet basketboll dhe që Shqipëria është pjesë e basketbollit evropian…