Gjergj Vyshka 25.08.2016 10:50
Shqipëria e basketbollit të meshkujve e ka nisur me disfatë shumë të thellë turneun miqësor në Talin të Estonisë. Ka pasur përballë një nga skuadrat më të mira e më të përvojës në Evropë, si Izraeli, me lojtarë që luajnë në Kupat e Evropës me klubet vendëse dhe në kampionatin amerikan të basketbollit.
Dhe si të tillë kanë qenë të pamundur për t’u përballuar nga kombëtarja kuqezi, që duket se ka qenë shumë e vogël për të rivalizuar me Izraelin. Vetë humbja me 65 pikë diferencë, 45-110, tregon diferencat e mëdha që kanë këto dy kombëtare.
E përtej kësaj një përballje me Izraelin, teksa kombëtarja shqiptare, ashtu sikurse të gjitha përfaqësueset e Evropës do të marrë pjesë në Eliminatoret e Evropianit, është përvojë shumë e madhe.
Sikurse do të jetë ndeshja e sotme me Ukrainën e më pas me Estoninë, e cila në Qipro, edhe për faj të kuqezinjve, na ka mundur me 7 pikë diferencë. Ndoshta është momenti pikërisht në Talin për t’i treguar Estonisë se edhe ne dimë të fitojmë. Por më parë duhet të kalojmë Ukrainën.