Gjergj Vyshka 10.09.2015 07:05
Federata Shqiptare e Basketbollit ka nisur një inspektim të gjerë të të gjitha pallateve të sportit pas së cilës do të bëhet një relacion, i cili do t’i shkojë anëtarëve të kryesisë, por dhe kryetarëve të Bashkisë. “Sepse ashtu sikurse u kemi dërguar letër për t’i uruar për detyrën e tyre, ashtu do t’i bëjmë të ditur së bashku me detyrat që duhet të plotësojnë për të pasur një Pallat Sporti në kushte komode”, – thotë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani.
Dhe dje inspektori i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Andi Koçi, ka qenë në Korçë, Pogradec e Elbasan. Ndërkohë Llazani është nisur për në Përmet, Fier, Vlorë e Durrës. Dhe javën që vjen, gjithnjë sipas Llazanit, do të kontrollohet Tirana, Kamza dhe Shkodra. Ndoshta e imponuar dhe nga kushtet që kërkon Federata Botërore e Basketbollit për kushtet e pjesëmarrjes në Eliminatore të kombëtares sonë, Llazani është detyruar të shtrëngojë bazën poshtë.
Që do të thotë se do të kontrollohet gjendja e parketit, e stolit të rezervave, dhomave të zhveshjes, gjendjes së aparaturave së bashku me 24-sekondëshin. Jo vetëm kaq, por dhe ndriçimi, ndërsa është dhe një formular për t’u plotësuar. Pa harruar që klubet përveç detyrimeve financiare që duhet të paguajnë për të marrë pjesë në kampionat duhet të kenë dhe kontrollet mjekësore të lojtarëve. “E pas kësaj ne do të kemi një relacion të qartë për të gjithë klubet në kampionat”, – ka përfunduar Llazani, kurse kështu ka nisur një inspektim i gjerë i Pallateve të Sportit.