AlbanianSport.com 08/05/2020 22:25
ASNN – Mediat serbe kanë raportuar të premten për idenë e themelimit të ligës së basketbollit me skuadrat nga Kosova dhe Shqipëria. Radio-Televizioni i Serbisë ka cituar kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu, i cili ka dhënë disa hollësi lidhur me idenë e krijimit të kësaj liga të basketbollit. Ideja është që në këtë ligë të ftohen edhe ekipet e Maqedonisë së Veriut, ndërsa synim është të fillohet në vjeshtë.
Gjatë ditës, media të ndryshme të Beogradit i kanë dhënë ngjyrime politike idesë që pritet të shërbejë për ngritjen e cilësisë së basketbollit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, e ndoshta edhe në Maqedoni Veriore. “Skandal i ri në horizont: Prishtina e Tirana bëjnë gati ligën e përbashkët të basketbollit”, është titulli i shkrimit të gazetës “Veçerenje Novosti”.
“Skandal: Shteti i rremë i Kosovës po bën ligë të përbashkët me Shqipërinë”, është titulli i faqes serbe në Internet, “alo.rs”. “Liga e Shqipërisë së Madhe që në vjeshtë. Marrëveshje e turpshme e Prishtinës dhe Tiranës. Kjo është e papranueshme”, shkruan ndërkohë “Srbija Danas”. Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka thënë për mediat e Prishtinës se liga do të nisë në tetor.
“Në mbledhjen e ardhshme Bordi i FBK-së do të përcaktojë ekipet pjesëmarrëse nga Kosova dhe kjo ligë do të shërbejë për të ngritur cilësinë e basketbollit”, – ka thënë Dushku.