AlbanianSport.com 25/04/2019 22:05
ASNN – U siguroi mbijetesën shkodranëve, por klubi kuqeblundërpret bashkëpunimin me kroatin. Ka zgjatur vetëm afro 15 javë aventura e trajnerit kroat, Neven Plantak, në krye të stolit të Vllaznisë së Basketbollit për meshkuj. Tanimë që objektivi u arrit, Vllaznia është përballur me një largim të papritur. Skuadra shkodrane në basketboll për meshkuj ka njoftuar largimin e trajnerit kroat dhe lajmi është bërë i ditur nga një postim i shkurtër në profilin zyrtare të klubit kuqeblu në rrjetin social “Facebook”.
“Në kuadër të riorganizimit për arritjen e objektivave të reja, klubi i basketbollit “Vllaznia” njofton përfundimin e kontratës me trajnerin Neven Plantak, – shkruhet në këtë njoftim. – Ne e falënderojmë kroatin Plantak për kontributin e dhënë dhe punën e tij profesionale. Njëkohësisht, i urojmë suksese në karrierën e tij”, – përfundon njoftimi i shkurtër i Klubit të Basketbollit Vllaznia”. Ndërkohë, mendohet se nga skuadra janë larguar edhe tre basketbollistët e huaj, amerikanët Hauard, Bredford dhe Karter.
Kujtojmë që Vllaznia pati një sezon të vështirë në Superligë dhe siguroi qëndrimin në elitën e basketbollit vendas vetëm pas ndeshjeve të “play-out”-it. Vetëm në javën e fundit të sezonit të rregullt, Vllaznia arriti të kapërcente mbi renditje Kamzën, e cila ra nga Superliga në Kategorinë e Parë. Kësisoj Vllaznia e vendit të 5-të të Superligës u përball me skuadrën e vendit të dytë të Kategorisë së Parë, Invejdërs.
Shkodranët e mbyllën në dy takime këtë duel me ekipin privat të kryeqytetit, duke i fituar të dyja dhe duke e ruajtur vendin në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj.