Gjergj Vyshka 22.11.2016 07:05
Në mjediset e Federatës Shqiptare të Basketbollit është hedhur dje në mesditë shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, që fundjavën e ardhshme si për meshkuj, ashtu dhe për femra, do të zhvillohen në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, së bashku me finalen.
Flamurtari, Studenti, Goga Basket dhe Tirana për femra, Ardhmëria Basket, Teuta, Tirana dhe Vllaznia për meshkuj do të garojnë për veprimtarinë e dytë më të rëndësishëm të basketbollit shqiptar. Trajneri i Flamurtarit, Viron Toska, në përfundim të shortit e ka pasur një thumb për Goga Basket.
“Është në nderin e Goga Basket që të kërkojë përsëri gjyqtarë të huaj, – ka ironizuar kreu i stolit vlonjat. – Për mua nuk ka asnjë problem. Mundësisht t’i ketë nga Bosnje-Hercegovina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse andej i kanë marrë dhe lojtarët.”
“Në çdo rast ekipi im do të dijë të triumfojë”, – ka thënë Toska, i cili, me Flamurtarin, është fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë dhe kampionatit për femra. Për meshkuj është Kamza Basket, që është eliminuar që në çerekfinale nga Tirana, e cila do të përballet në gjysmëfinale me Vllazninë, fill pas asaj që ka ndodhur të shtunën e kaluar në Shkodër.
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Femra
Shorti i gjysmëfinaleve:
(26 nëntor 2016)
Flamurtari – Studenti ora 16:00
Goga Basket – Tirana ora 18:00
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Meshkuj
Shorti i gjysmëfinaleve:
(27 nëntor 2016)
Tirana – Vllaznia ora 16:00
Ardhmëria Basket – Teuta ora 18:00
Finalet, të hënën më 28 nëntor 2016