AlbanianSport.com 28/01/2019 20:35
ASNN – Në zyrat e Federatës Shqiptare të Basketbollit u hodh të hënën shorti për ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Të pranishëm ishin dhe përfaqësuesit e klubeve dhe siç ndodh zakonisht kur hidhet shorti, trajneri i Flamurtarit Viron Toska ndërhyri dhe këtë herë që të respektoheshin rregullat, duke shkaktuar ilaritet, sepse sekretari Llazani që e drejtoi shortin ia plotësoi dëshirën.
Në kategorinë e meshkujve, 4 skuadrat gjysmëfinaliste janë Partizani, Teuta, Tirana dhe Goga Basket. Dhe goglat përcaktuan që Teuta të ndeshej me Partizanin, kurse Goga Basket me Tiranën. Ndeshjet gjysmëfinaliste do të luhen më 1 shkurt 2019, ku çifti i parë do të luajë në orën 16:00, kurse Tirana me Goga Basket, në orën 19:00. Fituesit e këtyre çifteve do të luajnë midis tyre finale e madhe të Kupës së Shqipërisë.
Ajo zhvillohet më 2 shkurt 2019, duke nisur nga ora 19:00. Tek femrat goglat përcaktuan ciftet Vllaznia-Flamurtari, e cila do të luhet në orën 10:00, si dhe çiftin derbi SHKBF Tirana-SHBF Tirana, duel që do të luhet në orën 12:00. Padyshim, finalja e Kupës për femrat do të luhet një ditë më pas, pra më 2 shkurt, në orën 16:00. Kuptohet, dueli më interesant është gjysmëfinalja e femrave ndërmjet dy skuadrave bardheblu.
Kurse tek meshkujt Teuta dhe Goga Basket janë favoritë ndaj rivalëve kryeqytetas Partizani e Tirana.