Gjergj Vyshka 31.07.2016 16:15
Erjon Hoxhaj, ndërkombëtari vlonjat i basketbollit shqiptar, dje ka gjykuar ndeshjen e tij të 6-të në Kampionatin Evropian të Nën-18-vjeçareve për vajza. Ai ka qenë gjyqtar i tretë në ndeshjen për vendet nga i 13-ti, deri në të 16-tin, Ukrainë-Skoci 83-41 (17-13, 19-8, 22-6, 25-14).
Gjyqtar i parë në këtë ndeshje ishte estonezi Rain Perandi, ndërsa i dytë danezi Xhonas Bille dhe vëzhgues austriaku Antoni Kolgan. Kësisoj pas Greqi-Maqedoni 62-41, Rumani-Portugali 53-69, Gjermani-Suedi 38-64, Islandë-Finlandë 81-73, Bosnjë-Hercegovinë-Poloni 81-59, vjen dhe ndeshja e 6-të e Hoxhaj në 7 ditë veprimtari.
Ndërsa në Kampionate Evropiane të grupmoshave të ndryshme, gjyqtari shqiptar moshash numëron deri më tani 13 ndeshje (7 në Evropianin e Nën-20-vjeçareve vajza, Divizioni B, 6 në Evropianin e Nën-18-vjeçareve vajza, Divizioni B). Me pak fjalë, një paraqitje gjithnjë në rritje.