Gjergj Vyshka 21.10.2014 16:10
Vendimet e Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, i mbledhur kohët e fundit më 29 shtator dhe 11 tetor, jo të gjitha zbardhen për shoqatat e klubet anëtare të institucionit më të lartë të koshit shqiptar. E aq më tepër për mediat. Kështu, sipas burimeve të mirëinformuara, gjyqtarët e ndeshjeve të basketbollit shqiptar nuk do të emërohen më nga Komisioni Tekniko-Gjykues, por drejtëpërsëdrejti nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari. Sepse të paktën kështu mund të shmangen dhe “allishverishet” mes gjyqtarëve dhe kryetarit të atij komisioni, që jo në pak raste ka ndodhur.
E vërteta është se janë shtuar gjyqtarët e rinj, por dhe vëzhguesit. Ndërkohë që pas konfirmimit të pjesëmarrjes së ekipeve tona kombëtare në Eliminatoret e Kampionatit Evropian Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeçarëve, çdo anëtar i Komitetit Drejtues është përgjegjës direkt për një ekip. Që do të thotë se cakton trajnerin, por mbi të gjitha për një mbështetje financiare më të madhe duhet të gjejë dhe sponsorin. Ndërkohë që edhe për një buxhet më të madh financiar, gjithnjë sipas këtyre burimeve, Ponari ka të ngjarë që shpejt të trokasë dhe tek kryeministri i vendit, Rama, në mënyrë që të sensibilizojë të parin e qeverisë për një mbështetje më të madhe për basketbollit.
Sepse me 6 milionë lekë të rinj, që ka pasur vjet basketbolli, duket se nuk mbulon asgjë për të pesta ekipet, të cilat me një përllogaritje të saktë duket se kërkojnë gati-gati 4 milion lekë të rinj një ekip. Pesë ekipe pjesëmarrëse në Evropian, por dhe të gjitha aktivitetet e tjera të koshit përgjatë vitit 2015, atëherë koshi shqiptar duhet ta ketë buxhetin 20.000.000 lekë të rinj. Ndaj dhe anëtarët e kryesisë, përgjegjësi direkt për ekipet kombëtare, duhet të gjejnë sponsor për ta për të mos mbetur vetëm në mëshirën e shtetit për një mbështetje më të madhe financiare.