Gjergj Vyshka 28.01.2016 19:50
Gentian Cici, ndërkombëtari i basketbollit shqiptar, i cili është vlerësuar dhe nga shefi i departamentit të arbitrave në Federatën Evropiane të Basketbollit, Davorin Nakiç, si gjyqtari më i mirë në Shqipëri, dje i ka bërë 13 ndeshje në “Euro Cup” për meshkuj. Për herë të tretë brenda sezonit ai ka qenë në Turqi, ndërsa në javën e 14-të të kësaj veprimtarie kontinentale të klubeve të basketbollit për meshkuj, ai ka gjykuar në “Banvit Kara Ali Axhar” përpara 2850 shikuesve në ndeshjen Banvit Bandirma-Ratiofarm Ulm, që u mbyll në favor të turqve me shifrat 92-72 (29-15, 24-21, 26-17, 13-19).
Cici ka qenë gjyqtar i tretë në këtë ndeshje, e cila ka qenë e vlefshme për grupin G. Gjyqtar i parë ka qenë boshnjaku Petar Obradoviç, ndërsa i dytë spanjolli Benjamin Himenez. Kësisoj tre herë në Turqi (Trabzon, Izmir, Banvit), dy herë në Lubjanë, e pastaj me radhë Bukuresht, Podgoricë, Tizgoleti, Rexhio-Emilja, Limozhë, Klaipeda dhe dy herë në Spanjë (Las Palmas dhe Saragoza) dhe Cici rrit numrin e gjykimeve ndërkombëtare.
Duke mbetur kështu jo vetëm në qendër të vëmendjes së ndërkombëtare, por prej tyre merret edhe si shembull nga të cilët duhet të mësojnë dy gjyqtarët e rinj vendës. Sikurse duhet të mësojnë edhe nga Ervin Koçi e Erion Hoxhaj, dy ndërkombëtarë të tjerë të koshit shqiptar, apo dhe kandidatët për gjyqtarë ndërkombëtarë, Gilbert Hoxha e Marli Kasëmi. 13 ndeshje në 14 javë në “Euro Cup”, kurse Cici s’ka të ndalur.