Gjergj Vyshka 11.01.2017 19:35
Ndërkombëtari tjetër i basketbollit shqiptar, Gentian Cici i ka bërë mbrëmë 10 ndeshjet në Ligën e Kampioneve. Pikërisht në Selanik, ai ka qenë gjyqtar i 3-të në ndeshjen e vlefshme për grupin C të kësaj veprimtarie.
Bëhet fjalë për sfidën midis vendasve të PAOK-ut dhe lituanezëve të Neptunas Klaipedia, që u mbyll me fitoren e selanikasve, me shifrat 82-73 (18-18, 26-17, 18-12, 20-26).
Në këtë ndeshje, krahas Cicit, gjyqtar i parë ishte kroati Srxhan Dozai, kurse i dytë spanjolli Luis Miguel Kastilo Laroka. Kurse vëzhgues i takimit ishte greku Nikos Zavlanos.
Kësisoj, në sezonin aktual, 2016-2017, Cici ka mbërritur në shifrën e 15 ndeshjeve ndërkombëtare, 10 në Ligën e Kampioneve, 4 në “FIBA Europe Cup” dhe një në “EUROLIGË” për femra.