Gjergj Vyshka 14.04.2016 18:05
Që nga fillimi i këtij sezoni, Federata Shqiptare e Basketbollit pat punuar me klubet për të vendosur një person, i cili nëpërmjet kompjuterit do të mbante statistikat e ndeshjes. Gjë që më pas reklamohen në FSHB Faqja zyrtare në rrjetin social “Facebook”. Dhe në kërkim të nxjerrjes së pikëshënuesve më të mirë të sezonit si për meshkuj, ashtu dhe për femra, ndërsa jo rrallëherë ka gabime në mbajtësit e statistika, dje Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, i është drejtuar klubeve me një shkresë me mbi titullin “tërheqje vëmendje”.
“Mbështetur në nenin 10.5 të Rregullores së aktiviteteve kombëtare të sezonit 2015-2016 gjatë sezonit në vijim është kërkuar mbajtja elektronike e statistikave të ndeshjeve të Superligës Meshkuj, – thuhet në shkresën e tij. – Nga përpunimi i këtyre statistikave është vënë re një pasaktësi e madhe në mbajtjen e tyre. Numri i topave në tabelë, asisteve, humbjeve dhe kapjeve të topave, përqindja e gjuajtjeve etj., çojnë në përfundimin se një numër tepër i madh veprimesh nuk shënohen fare. Gjykojmë se shkak kryesor është natyrisht mungesa e përvojës.
“Kjo natyrisht do të fitohej me praktikë duke mbajtur statistikat jo vetëm të ndeshjeve zyrtare, por dhe në ato stërvitore përpara fillimit të kampionatit e më pas, – ka vijuar më tej zyrtari i koshit shqiptar. – Një gjë e tillë nuk është bërë dhe vijon të mos bëhet. Gjithashtu një element mjaft i rëndësishëm, i cili është anashkaluar plotësisht është mbajtja e statistikave nga dy persona (mbajtësi dhe ndihmësi). Është e pamundur mbajtja me saktësi e statistikave pa ndihmës edhe për një person me eksperiencë në mbajtjen e tyre, me njohuri për basketbollin dhe përdorimin e kompjuterit.”
“Si rezultat i këtij impenjimi krejtësisht të pamjaftueshëm nga të gjitha shoqatat pjesëmarrëse në Superligën e Meshkujve, statistikat e pothuajse e të gjitha ndeshjeve janë praktikisht të papërdorshme për të nxjerrë të dhënat të sakta mbi sezonin në vijim”, – ka theksuar sekretari i përgjithshëm Korab Llazani për klubet e basketbollit. Ai ka sugjeruar edhe një ndihmë nga Federata për mbajtësit e statistikave, ndërsa e ka përfunduar tërheqjen e vëmendjes.
“Ju kërkojmë me insistim të madh të merrni masat e nevojshme për të ndihmuar mbajtësit e statistikave në punën e tyre duke siguruar praninë e dy personave në çdo ndeshje. T’u kërkoni atyre të praktikojnë mbajtjen e statistikave jo vetëm në ndeshje zyrtare, të zbatojnë me përpikëri afatin e dërgimit të tyre (jo më vonë se 1 orë pas përfundimit të ndeshjes) dhe t’u kërkoni me insistim që për çdo problem, apo paqartësi në punën e tyre, të kontaktojnë personin përkatës në FSHB për këtë qëllim”, – ka përfunduar Llazani.