Gjergj Vyshka 17.03.2016 14:20
Federata Shqiptare e Basketbollit, menjëherë pas daljes së parë publike të kandidatit për president, Arben Fagu, në emisionin “Sport Magazine” të Ora Neës, atje ku ka akuzuar se deri më tani nuk i është vënë asnjë material në dispozicion, ka sqaruar opinionin publik nëpërmjet një deklarate për shtyp.
“Kërkesa e zotit Fagu e ardhur më 11 mars 2016 e ka marrë përgjigjen fillestare menjëherë ditën e nesërme nëpërmjet përcjelljes së vendimit të datës 12 mars 2016, përkatësisht pika 2 e vendimit, që i referohet veçanërisht kërkesës me të drejtë nga ana e tij”, – shkruhet në të.
“Në kërkesën e zotit Fagu thuhet 3 ditë pune, ku nga dita e premte deri dje nuk kanë kaluar akoma tre pune dhe përveç kësaj mbledhja dhe shqyrtimi i dokumentacionit kërkon orët e veta të punës. Për sa më sipër do t’ju bëjmë edhe juve të publike të dhënat e kërkuara pasi procesi, me kërkesë të zotit Ponari, duhet të mbajë vetëm vulën e transparencës”, – thuhet në sqarimin publik të Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Po çfarë kishte kërkuar Fagu? Në shkresën me numër protokolli 26/1, datë 11 mars 2016, lënda “sqarime në lidhje me organizimin dhe procedurën e zgjedhjeve të Federatës Shqiptare të Basketbollit”, e cila i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Korab Llazani, kandidati për president Arben Fagu ka kërkuar si vijon:
“Me anë të kësaj letre do të doja t’iu vija në dijeni për pranimin nga ana ime të kandidimit për pozicionin e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit në asamblenë e radhës bërë nga disa anëtarë të Federatës. Në këtë drejtim do të kërkoja angazhimin dhe ndihmën tuaj për të më vënë në dispozicion disa informacione që i konsideroj të domosdoshme për të zhvilluar një garë të hapur dhe të ndershme. Pikë së pari, në përputhje me statutin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, do ju lutesha që të më vinit në dispozicion numrin e anëtarëve me të drejtë vote, së bashku me numrin e votave që ka secili prej tyre në asamblenë që do të mbahet. Po kështu do ju lutesha që të më jepnit edhe listën e të mandatuarve që kanë të drejtë të votojnë. Ky është një informacion i domosdoshëm për të siguruar barazinë dhe transparencën e procesit të zgjedhjeve, prandaj jam i bindur në përgjigjen tuaj të shpejtë. Në mungesë të dispozitave konkrete të statutit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, apo të ndonjë rregulloreje për këtë qëllim (të paktën në dijeninë time) do të kërkoja që të më informonit për procedurën që keni menduar të aplikoni për organizimin e garës duke filluar që nga verifikimi i anëtarëve pjesëmarrës në asamble, mandatit të tyre, të mandatuarve me të drejtë vote dhe deri tek organizimi i zgjedhjeve dhe numërimi i votave. Nëse kjo është një çështje ende në diskutim do të propozoja që të ndiqeshin praktika të gjithëpranuara që përfshijnë ndër të tjera krijimin e një komisioni të posaçëm me persona që bëjnë verifikimin e çështjeve sa më sipër në të cilin merr pjesë edhe një person i propozuar nga unë dhe kandidati/et e tjerë në garë. Kjo gjë do të krijonte gjithashtu një fushë të njëjtë loje për të gjithë, me rregulla të njohura paraprakisht nga të gjithë kandidatët dhe do të rriste transparencën e të gjithë procesit. Duke pasur parasysh kohën e shkurtër deri në mbajtjen e asamblesë në të cilën do të organizohen zgjedhjet, si dhe faktin që kërkesat e mia kanë të bëjnë me një informacion që është i gatshëm pranë jush, do të kërkoja që informacionet e mësipërme të më vihen në dispozicion 3 ditëve pune.”
Dhe në kushtet kur dje Komisioni i Verifikimit të mandateve ka shpallur listën e të mandatuarve, kandidatët për president dhe anëtarë kryesie, ndërsa një natë më parë në Ora Neës, Fagu kishte akuzuar se nuk i janë vënë në dispozicion materialet, atëherë gjithçka që ka kërkuar e ka tashmë në dorë. Dhe në të tilla kushte, FSHB vijon të flasë me gjuhën e transparencës. Të paktën deri më tani…