Gjergj Vyshka 03.06.2017 09:45
Federata Shqiptare e Basketbollit ka shpërndarë dje ftesën e ardhur nga Federata Çeke e Basketbollit, e cila, më 23 dhe 24 qershor 2017 në Pragë, gjatë zhvillimit të finaleve të Kampionatit Evropian të femrave, do të zhvillojë një kurs trajnerësh.
Pjesëmarrja, të paktën sipas udhëzimeve, apo regjistrimi në këtë kurs është 100 euro e nëse bëhet pas afateve të përcaktuara, që është 11 qershori, do të jetë 130 euro për person.
Jo vetëm kaq, por drejtuesit e Federatës Çeke të Basketbollit kanë bërë të ditur dhe hotelet ku mund të akomodohen, sigurisht duke paguar. Përveç leksioneve, ata që do të marrin pjesë do të jenë prezent dhe në dy gjysmëfinalet e Evropianit.
Dy sfidat do të zhvillohen më 24 qershor në ora 18:00 dhe 20:30 në “Arena” të Pragës. Federata Shqiptare e Basketbollit i ka ofruar dhe asistencën trajnerëve shqiptar për të marrë pjesë në këtë kurs kualifikimi dyditor në Pragë.