Gjergj Vyshka 01.10.2015 17:20
Federata Shqiptare e Basketbollit është duke bërë përpjekje që ndeshjen e 25 nëntorit me Malin e Zi për femra, e vlefshme për Eliminatoret e Evropianit, ta bëjë jo në fushën e vet, por në tokën malazeze.
“Ata në fakt kanë 60-vjetorin e themelimit të Federatës. E kanë marrë kërkesën tonë dhe pritet të mblidhet bordi për të vendosur”, – ka sqaruar Sekretari i Përgjithshëm i FSHB-së, Korab Llazani .
“Dhe të gjithë këtë ndërrim jemi duke e bërë sepse shpresojmë që deri në shkurt kur të vijnë ndeshjet e radhës të jenë përmirësuar kushtet infrastrukturore në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, – shtoi ai.
Siç dihet ndeshja e parë e femrave në Eliminatoret e Evropianit do të jetë më 21 nëntor 2015 ndaj Italisë, në fushë të huaj, dhe më 25 nëntor 2015, duhej pritur Mali i Zi në Shqipëri.
Por tashmë Federata Shqiptare e Basketbollit, edhe për mungesë të kushteve infrastrukturore, e ka bërë zyrtare kërkesën për ta luajtur ndeshjen e parë atje. Gjë që mund të miratohet nga malazezët.