Gjergj Vyshka 25.06.2016 13:15
Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit dje ka zhvilluar mbledhjen e dytë zyrtare që pas votimit më 30 mars në Korçë. Të parën e ka kryer më 7 prill, ka pasur një vendim qarkullues më 19 prill për faljen e Apolonisë së Nën-16-vjeçarëve djem, ndërsa dje ka qenë zyrtarisht e dyta. E në këtë mbledhje krahas presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, kanë qenë të pranishëm dhe anëtarët Vaso Shaka, Ilir Taflaj, Dritan Mema, Juel Jarani dhe Edmond Biçoku. Ka munguar vetëm Edera Alibegaj.
Ajo që ka qenë temë kryesore e diskutimit ishte struktura e re Federatës Shqiptare e Basketbollit, e cila nis me sekretarin e përgjithshëm dhe më pas janë pesë sektorë të cilat do ta bëjnë më të plotë funksionimin e të gjithë veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare të koshit në vend. Më saktë bëhet fjalë për sektorin e financës dhe të marketingut, sektorin e marrëdhënieve me publikun dhe marrëdhënieve me jashtë, sektori i veprimtarive, sektori i kualifikimeve, licencimeve dhe statistikës dhe sektori i basketbollit shkollor dhe moshave.
Komiteti Drejtues pasi ka shqyrtuar materialin e punës për secilën pikë dhe në unanimitet të plotë u arrit në akordin që të miratohet struktura e re e administratës së Federatës Shqiptare të Basketbollit për të cilën është Sekretari i Përgjithshëm, Korab Llazani, që ta ndjekë dhe të sjellë propozimet e reja. Në fakt anëtarët e kryesisë kësaj pike i kanë mëshuar më së shumti, sepse tashmë kërkohet një rritje e intensitetit të punës së administratës në kushtet e reja në të cilat ndodhet i gjithë aktiviteti i basketbollit shqiptar.
Është kërkuar hollësi në përshkrimin e kësaj strukture të re. “Rritja e ndjeshme e numrit të veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare e paraqet si çështje të ditës dhe kryesore këtë ndryshim, – thuhet në komunikatën për shtyp të basketbollit shqiptar në përfundim të mbledhjes së dytë të Komitetit Drejtues. – Puna e deritanishme ka nevojë për një tjetër hov dhe ritëm më të shpejtë lidhur më propagandimin, marketingun dhe promocionin e të gjithë veprimtarisë basketbollistike nga ku shumë detyra të reja shtohen për të zgjedhurit.”