Gjergj Vyshka 25.03.2016 13:45
Ndryshe nga çfarë ishte vendosur rreth një javë më parë, Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Basketbollit nuk do të zhvillohet në sallën e ish-Kampit të Punëtorëve në Korçë. Por në një prej sallave të hotel “Koçibellit”, po në Korçë, duke nisur më 30 mars nga ora 10:00.
Dhe kjo masë është marrë sepse salla në ish-Kampin e Punëtorëve ishte e vogël, kurse kjo e zgjedhur jo vetëm që është më komode, por ka vend për 52 delegatët, si dhe për kandidatët për anëtarë të Komitetit Drejtues (19 kandidat për shtatë vende) të cilët do të votohen atë ditë.
Ndërkohë Federata Shqiptare e Basketbollit u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të shoqatave anëtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit që deri më 27 mars të dërgojnë kopje të skanuar të kartave të identitetit ose pasaportës të delegatëve të mandatar për këtë Asamble nga këto shoqata.
“Të gjithë delegatët, – thuhet në komunikatën për shtyp të Federatës Shqiptare të Basketbollit, – do të pajisen me karta akreditimi në mbërritje dhe do të ndjekin punimet e Asamblesë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që do të mbahet në qytetin e Korçës”.
Kësisoj Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Basketbollit ka hyrë në javën e saj finale, ndërsa deri më 28 mars ora 00:00 është afati për fushatë. Të martën e 29 marsit do të jetë heshtje zgjedhore vendosur nga komisioni i verifikimit të mandateve, ndërsa më 30 mars do të votohet.