AlbanianSport.com 01.05.2015 12:30
ASNN – Pas Vllaznisë në basketboll për meshkuj, është shpallur zyrtarisht të mërkurën edhe kampionia e basketbollit për femra. Dhe titulli i ka takuar Flamurtarit të trajnerit Viron Toska, e cila në ndeshjen e pestë të “play-off”-it final ka mundur në Durrës Apoloninë e homologut Astrit Greva, me rezultatin 81-79. Ka qenë një ndeshje emocionuese dhe në fund vlonjatet, falë dhe eksperiencës, ia kanë dalë të jenë fituese, ndërsa kështu vazhdojnë të jenë të pamundura në basketbollin shqiptar.
Flamurtari shpallet kështi “kampion” i Shqipërisë në basketbollin e femrave për sezonin 2014-2015. Vlonjatet mposhtën dje në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ekipin e Apolonisë me shifrat e ngushta 79-81, duke regjistruar kështu titullin e 19-të “kampion” në historinë e tyre. Kjo ishte finalja e 5-të në fazën e “play-of”-it, mes dy skuadrave, pas barazimit 2-2 në 4 takimet e para. Në fakt, ka qenë një ndeshje e udhëhequr prej fillimit nga vlonjatet.
Por falë këmbënguljes së fierakeve fundi u bë dramatik dhe spektakolar, aq sa titulli kampion u nda vetëm në 10 sekondat e fundit dhe vetëm me dy pikë diferencë. Skuadra e Apolonisë kishte një armë më shumë në këtë takim, pasi një numër shumë i madh tifozësh të ardhur nga Fieri i mbështetën përgjatë gjithë kohës. Për sa i përket takimit, gjithçka nis mirë për Flamurtarin, i cili hap serinë e pikëve me një trepikësh të Kejsi Hasanajt.
Loja e mirë e vlonjateve vijon edhe më tej, aq sa pas 6 minutave lojë diferenca në favor të Flamurtarit shkon 11 pikë (6-17). Në minutat e mbetura kërkon të reagojë Apolonia, por nuk ka qetësinë e duhur për të bërë më shumë, e si pasojë perioda e parë mbyllet 14-23 në favor të Flamurtarit. Me fillimin e pjesës së dytë, Apolonia tregohet më agresive dhe pak e nga pak ngushton diferencën në pikë. Nga ana tjetër, Flamurtari humbet disi nga ritmi i pjesës së parë.
Megjithatë, në fundin e gjysmës së parë, skuadra vlonjate vazhdon të udhëheqë me 3 pikë epërsi (39-36). Në pjesën e tretë, janë fieraket që afrohen ndjeshëm në pikë, por vlonjatet tregohen më efikase dhe shkojnë në 10-minutëshin e fundit me 8 pikë avantazh. Në pjesën e katërt, Apolonia kërkon përmbysjen. Nga ana tjetër, Flamurtari në minutat e para ruan epërsinë në pikë falë disa pikëve radhazi të Zykajt. Por Apolonia këmbëngul dhe 10 sekonda nga fundi shifrat janë 79-80.
Mirëpo, edhe një faull taktik në këto sekonda nuk u mjafton fierakeve, pasi gjithçka përfundon 79-81, duke bërë që titulli kampion të shkojë sërish në Vlorë.
APOLONIA – FLAMURTARI 79-81
(14-23, 22-16, 19-24, 24-18)
APOLONIA: Xhanaj (21), Demiraj (10), Dishnica (6), Perquku (5), Semanjaku (24), Lov (3), Aliaj (10). Trajner: A. Greva
FLAMURTARI: Myrto (0), Zykaj (19), K. Hasanaj (6), Vukoviç (3), Plasa (13), Çorto (25), Kostallari (15). Trajner: V. Toska
GJYQTARË: G. Cici, G. Hoxha, O. Kasmi